RTSH Sport Live

Manaj, dritëhije në fitoren ndaj Milanit

  • 18/01/2022
  • |
  • Kombëtarja
Manaj, dritëhije në fitoren ndaj Milanit
Jurgen Çelhaka, pasim për gol në fitoren 2-0 të Legias në miqësore

Ndonëse skuadra e tij korri një fitore të bujshme, 2-1 në fushë të huaj përballë Milanit, ndeshja e së hënës mbrëmja nuk ka qenë edhe aq e kënaqshme për futbollistin e Kombëtares kuqezi, Rei Manaj, që militon në radhët e Specias në Serinë A. Skuadra e Manaj përmbysi deficitin minimal të pjesës së parë, duke shënuar dy herë në të dytën dhe duke marrë një fitore të papritur. Në fakt, Manaj ishte fajtor në pësimin e golit të parë, të shënuar nga Milani në minutën shtesë të pjesës së parë, teksa ishte ai që e humbi topin për Specian.

Ndërkaq, futbollisti kuqezi u ndërrua në minutën e 58-të, duke u zëvendësuar nga Agudelo, i cili 6 minuta më pas realizoi golin e barazimit që ktheu më pas edhe fatin e ndeshjes. Ndërkaq, mesfushori kryeqytetas, Jurgen Çelhaka, i cili u transferua nga Tirana te Legia e Varshavës në fillim të këtij sezoni, po kërkon të fitojë besimin e drejtuesve, teksa po jep maksimumin, në fazën përgatitore që gjigandja polake po zhvillon në Dubai.

Madje Çelhaka ishte protagonist në ndeshjen miqësore që Legia zhvilloi ndaj bullgarëve të Botevit, të cilën skuadra polake e fitoi me rezultatin 2-0. Ish-mesfushori i Tiranës, i cili u aktivizua në minutën e 61-të, ka vijuar 17 minuta më pas, në të 78-tën, të spikatë me një pasim për gol. Mesfushori shqiptar dhuroi pasimin e saktë për shkon e skuadrës, Igor Strzalka, i cili nuk e shkoi dëm mundësinë për të shënuar, duke dyfishuar shifrat.