RTSH Sport Live

Manaj-Uzuni, Shqipëria mund San Marinon

  • 31/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Manaj-Uzuni, Shqipëria mund San Marinon
Pas një pjese të parë zhgënjyese, kuqezinjtë kanë arritur të sigurojnë tri pikët në pjesën e dytë

Përfaqësuesja kuqezi ka arritur të marrë një fitore 2-0 në transfertë përballë San Marinos, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve në Grupin I të kualifikueseve të Botërorit, Katar 2022. Një ndeshje pa shumë shkëlqim për të besuarit e trajnerit Reja përballë një kundërshtari modest, sidomos në pjesën e parë. Arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në pjesën e dytë dhe të sigurojnë tri pikët me golat e Manajt dhe Uzunit.

 Pjesa e parë nisi kërkuese për kuqezinjtë përballë një kundërshtari që mendoi vetëm për tu mbrojtur. Gjithsesi, asgjë nuk e justifikon paraqitjen e të besuarve të trajnerit Reja, të cilët në asnjë moment nuk e vunë në rrezik serioz portën e kundërshtarit. Dominim territori, qarkullim topi, por në momentin e fundit, në konkretizimin e aksioneve, gjithçka ishte zhgënjyese, duke dhuruar një pjesë të parë pa gola.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime në formacion, Uzuni dhe Roshi në vend të Laçit e Brojës. Ishte pikërisht Uzuni që dha sinjalin e parë, më pas Hysaj me Roshin, për të mbërritur tek shënimi i golit me Manajn në minutën e 63-të.

Një harkim nga e djathta e Uzunit dhe sulmuesi kuqezi nuk ka gabuar me kokë, duke tundur rrjetën e portës së mbrojtur nga Benedetini. Në minutën e 83-të shtylla i mohon golin kapitenit Hysaj, ndërsa dy minuta më vonë është Uzuni që devijon një gjuajtje të Veselit, duke vënë firmën e tij në shënimin e golit të dytë, 2-0.

Një pjesë e parë zhgënjyese dhe një pjesë e dytë me një tjetër ritëm, Shqipëria arrin të fitojë ndeshjen e tretë në Grupin I dhe ngjitet në kuotën e 6 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e tretë në klasifikim. Vendi i parë mbahet nga Anglia, që ka pikë të plota, 9 pikë. Në vendin e dytë është Hungaria me 7 pikë.  

SAN MARINO-SHQIPËRI 0-2

Golat: Manaj 63', Uzuni 83'

SAN MARINO: Benedetini, Batistini, Fabri, Simoncini, Rosi, Palaci, Tomasini, Golinuçi, Mularoni, Nani, Berardi.

SHQIPËRIA: Strakosha, Gjimshiti, Ajeti, Veseli, Hysaj, Lenjani, Bare, Laçi, Ramadani, Manaj, Broja.