RTSH Sport Live

Mançester-Milan, një klasike në RTSH

  • 10/03/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Mançester-Milan, një klasike në RTSH
Liga e Europës rikthehet me sfida të paparashikueshme në 1/8-at

Manchester United-Milan, një përballje klasike në Ligën e Europës për fazën e 1/8-ave, sfidë pa favoritë por me shumë histori mes dy gjigandëve kontinentalë. “Old Trafford”hap dyert për 90 minutat e para të klasikes europiane që do të transmetohet edhe në RTSH.

Manchester United po shijon një moment fantastik pas suksesit 2-0 në derbin e qytetit dhe tashmë ka konsoliduar pozitat në vendin e dytë të klasifikimit, ndërsa në Milano humori ndryshon pasi kuqezinjtë rrezikojnë të humbasin përfundimisht betejën e titullit kundër rivalëve të Interit.

 Anglezët në Ligën e Europës kanë përfunduar pas eliminimit nga Champions, ndërsa Milan e ka nisur rrugëtimin në muajt e verës dhe në fazën e 1/16-ve eliminoi me jo pak vështirësi Crvena Zvezdën ndërsa skuadra e Ole Gunar Solsjkaer shkatërroi pa derdhur shumë djersë spanjollët e Real Sociedad.

Mungesa më e madhe e ndeshjes së parë do të jetë Zlatan Ibrahimovic që u largua nga “Djajtë e Kuq” pak vjet më parë për të provuar eksperiencën amerikane në Los Angeles. Manchester United nuk njeh humbje që prej 17 ndeshjesh mes kupës e kampionatit.

Milan rikthehet në “Old Trafford” 18 vite pas finales së UEFA Champions League të fituar në vitin 2003 përballë Juventusit. Në krahun tjetër, Solskjaer nuk ka në dispozicion disa lojtarë kyç si Cavani, Van de Beek, Paul Pogba, Juan Mata apo Phil Jones ndërsa në portë do të prezantohet sërish Henderson.

Përballja do të luhet në orën 18:55, ndërsa sfida e kthimit në 18 mars në stadiumin “San Siro” të Milanos. Në përballjet e tjera të kësaj faze bien në sy duelet Olympiacos-Arsenal, Roma – Shakhtar apo Tottenham – Dinamo Zagreb.