RTSH Sport Live

Mançester-Roma “ndez” Europën

  • 28/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Mançester-Roma “ndez” Europën
Sfida e Ligës së Europës do të transmetohet në RTSH

Manchester United-Roma dhe Villarreal-Arsenal rikthejnë Europa League në garë për aktin e parafundit sezonal. Dy gjysmëfinale të ekuilibruara dhe sfida luksi për 4 ekipet e mbetura në garë. RTSH ka zgjedhur të servirë për publikun 90 minutat e duelit italo-anglez të “Old Trafford” ku Roma do të kërkojë finale e dytë europiane të historisë së saj pas asaj të vitit 1984 kundër Liverpoolit në Ligën e Kampioneve.

“Djajtë e Kuq” me një palmares me të pasur në Europë përballë italianëve ende pa asnjë trofe kontinental, pretendojnë finale e Gdanskut për t’i dhënë kuptim sezonit, ndërsa në krahun tjetër, verdhekuqtë e Paolo Fonsecës në rënie të lirë në kampionat, i kanë përqëndruar të gjitha fuqitë në Europa League, kompeticioni i vetëm që mund t’u sigurojë biletën për UEFA Champions League sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Ole Gunar Solskjaer beson se mund të rikthehet në finale pas suksesit të sezonit 2016-17. Për të prekur gjysmëfinalen, dajtë ishullorë kanë eliminuar Milanin fillimisht dhe më pas Granadan ndërsa prezantohen në këtë sfidë pas 5 sukseseve në 6 të fundit, çka konfirmon formën fantastike të skuadrës në muajin Prill ndërsa pozitat në vendin e dytë të Premier League mbeten të palëkundura me 5 pikë diferencë nga Leicester City. 

Roma rrezikoi diçka më shumë në çerekfinale përballë Ajaksit ku fitorja e parë 2-1 në Amsredam i dha një dorë të mirë skuadrës nga qyteti i përjetshëm për të hedhur hapin e madh ndërsa gjatë javëve të fundit ekipi është fokusuar tërësisht tek ky kompeticion dhe këtë e vërteton fakti që nuk ka arritur të fitojë në asnjë nga 4 përballjet e fundit.

Manchester United numëron 4 fitore në 6 sfidat e së shkuarës ku verdhekuqtë kanë arritur ta shijojnë vetëm një herë suksesin. Luke Shaw, Scott McTominaym Marcus Rashford dhe kapiteni Harry Maguire rikthehen në dispozicion të Solskjaer që nuk do të ketë të gatshëm Anthony Martial dhe Eric Bailly.

Në krahun tjetër, Roma duhet të bëjë pa mbrojtësin e krahut Leonardo Spinazzola dhe atë të qëndrës Chris Smalling. Në dyshim deri në momentet e fundit është edhe Stephan El Shaarawy. Sfida starton në orën 21:00 në ekranin e RTSH Sport dhe RTSH1 HD.