Manchester United u kualifikua në çerekfinalet e Europa League, pas fitores 4-1 kundër Real Sociedad në Old Trafford. Heroi ishte kapiteni Bruno Fernandes me tre gola. Pas rezultatit të përgjithshëm 5-2, anglezët kalojnë më tej, ku do të ndeshen me Lionin.
Manchester United respektoi parashikimet dhe arriti kualifikimin në çerekfinalet e Europa League pas fitores 4-1 kundër Real Sociedad në Old Trafford, ndërkohë që ndeshja e parë në San Sebastian ishte mbyllur në barazim 1-1. Heroi i kualifikimit për Djajtë e Kuq ishte kapiteni Bruno Fernandes, autor i tre golave, prej të cilëve dy me penallti.
Ndeshja ishte e pasur me goditje nga pika e bardhë dhe tre golat e parë u shënuan pikërisht nga ajo. Në minutën e 10-të, Oyarzabal shënoi me penallti për baskët, ashtu si në ndeshjen e parë. Kryesimi i spanjollëve zgjati vetëm gjashtë minuta pasi anglezët fituan penalltinë e tyre të parë, që u ekzekutua saktë nga Fernandes.
Me nisjen e pjesës së dytë, sërish faull në zonën spanjolle dhe vjen penalltia e tretë e ndeshjes, e cila konvertohet sërish në gol nga kapiteni portugez i Manchester United që tani merr kryesimin e sfidës.
Misioni i anglezëve u lehtësua edhe më tepër kur Aramburu u ndëshkua me karton të kuq, pasi frenoi në mënyrë të parregullt Dorgu, të nisur drejt portës.
Pavarësisht superioritetit dhe rasteve, goli i sigurisë erdhi vetëm në minutën e 87-të, edhe këtë herë nga Fernandes, por tani me gjuajtje nga loja. Çështja e kualifikimit mbyllet, por ka kohë edhe për një gol, autor i të cilit është Dalot, në minutën e parë shtesë.
Me rezultatin e përgjithshëm 5-2 United kalon më tej dhe në çerekfinale do të ndeshet me Lionin.