Shqipëria ka siguruar në fundjavë një tjetër medalje në arenën ndërkombëtare sportive nëpërmjet njërit prej sportistëve të huaj, të adoptuar në ngjyrat kuqezi. Kjo sepse Matvei Petrov ka shënuar një tjetër rezultat të madh në evenimentet e rëndësishme të gjimnastikës. 32-vjeçari rus, i cili përfaqëson Shqipërinë, ka arritur që të fitojë medalje bronzi në Kupën e Botës, e cila po mbahet në Baku të Azerbajxhanit. Me 14.766 pikë, gjimasti u rendit në vend të 3-të në disiplinën e kalit me doreza.
Petrov realizoi një paraqitje shumë të mirë, që i mundësoi edhe vendin në podium. Medalja e artë në kalin me doreza u fitua nga kazaku Nariman Kurbanov, i cili grumbulloi 15.300 pikë, ndërsa argjendi shkoi për irlandezin Rhis MekKlenafan, që grumbulloi 14.933 pikë. Siç dihet, që prej vitit 2018, Matvei Petrov përfaqëson flamurin kuqezi, duke arritur rezultate të mëdha, siç ishte titulli “kampion e Evropës” në Mersin në vitin 2020. Pa harruar 2 medalje e ari, një argjendi dhe një bronzi në garat e “Ëorld Challenge”.
E bronzta në Baku është medalja e parë në Kupat e Botës nën flamurin shqiptar, pasi një të tillë e kishte fituar më parë kur garonte për Rusinë. Veprimtaria e zhvilluar në Azerbajxhan është Kupa e 3-të e Botës për vitin 2023 në gjimnastikë artistike, pas eventeve të mbajtura fillimisht në Kotbus të Gjermanisë, nga data 23, deri më 26 shkurt, dhe në Doha, nga data 1, deri 4 mars.
Nga data 27, deri më 30 do të jetë radha për Kupën e 4-t të Botës në Egjipt, për t’u lënë vend më pas garave “Ëorld Challenge”, të cilat do të jenë 6 të tilla. Të gjitha këto janë aktivitete kualifikuese për në Olimpiadë. Ndërsa evenimenti më i rëndësishëm i sezonit do të jetë Kampionati Botëror që do të mbahet nga 30 shtatori deri më 8 tetor në Antverp të Belgjikës.