RTSH Sport Live

Mbrojtje eksperimentale në Izrael

  • 22/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Mbrojtje eksperimentale në Izrael
Gjasula mund të zbresë disa metra, Asllani dhe Bajrami titullarë në mesfushë

Shqipëri eksperimentale e detyruar nga dëmtimet e shumta në mbrojtje. Trajneri Edoardo Reja e ka bërë të qartë se skema nuk do të preket ndërsa lojtarët kanë rastin të tregojnë edhe me vepra se mund të luajnë aty ku t’u kërkohet pasi skuadra ka nevojë që të sakrifikohen.

I pari në listën e të sakrifikuarve mund të jetë Klaus Gjasula, mesfushori i Darmstad i aktivizuar shpesh herë edhe në qëndër të mbrojtjes gjatë këtij sezoni dhe tekniku italian planifikon ta rreshtojë pikërisht në këtë repart për të plotësuar mungesat e shumta dhe në krah të tij, Ismajli e Veseli plotësojnë treshen e mbrojtjes në skemën 3-5-2 ku Berisha projektohet titullar ndërsa siguria e vetme janë krahët me Balliun e Hysajn të palëvizshëm.

Me zhvendosjen e Gjasulës në mbrojtje, mesfusha ka vend edhe për Bajramin por edhe për Asllanin të shoqëruar nga Abrashi, i cili konsiderohet motorri i këtij reparti. Nuk ka shumë dyshime as për sulmin ku Broja sigurisht është karta më e fortë e Edi Rejës në sulm.

Shkodrani shpreson të zhbllokohet pas më shumë se 15 takimesh pa gjetur rrugën e rrjetës dhe për t’i dhënë një sinjal shtesë trajnerit Potter që e konsideron titullar te Chelsea.

Në krah të tij mund të rreshtohet Cikalleshi por ndoshta edhe Uzuni edhe pse beretasi mund të kursehet për shkak të një dëmtimi në kavilje edhe pse është në dispozicion të trajnerit.