RTSH Sport Live

Mbyllet java e 11-të e Superligës së Kosovës

  • 29/10/2023
  • |
  • Kosova
Mbyllet java e 11-të e Superligës së Kosovës
Ballkani korr fitoren e 8-të dhe thellon kryesimin në +4 kundrejt Dritës

Janë zhvilluar të tri ndeshjet e fundit të javës së 11-të të Superligën e Kosovës në futboll dhe Ballkani ka reaguar pas disfatës përballë Astanës të enjten në Ligën e Konferencës, teksa kampionia e dy edicioneve të fundit në Superligë ka fituar bindshëm të dielën, duke mposhtur 3-0 në fushë të huaj Feronikelin 74. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe golat e fitores për Ballkanin i shënuan Almir Kryeziu në minutën e 44-t, Edvin Kuç në minutën e 66-të dhe Nazmi Gripshi në minutën e 81-të.

Te Feronikeli 74, Fiton Hajdari humbi mundësinë të shënonte nga pika e bardhë e 11-metërshit. E teksa Ballkani korri fitore, Drita u ndal në një barazim nga Liria, teksa nga një pikët ndanë edhe Dukagjini e Llapi në dy ndeshjet e tjera të së dielës. Këto rezultate i shkuan për shtat kampiones në fuqi, që është ngjitur në kuotën e 26 pikëve dhe tani ka çuar në 4 largësinë e pikëve me ndjekësen më të afërt, Dritën.

Pas tyre renditen Llapi e Prishtina, me përkatësisht 20 dhe 16 pikë, ndërsa vendi i 5-të dhe i 6-të ndahet nga Malisheva e Dukagjini, me nga 13 pikë secila. Edhe në vendin e shtatë dhe të 8-të janë dy skuadra me pikë të njëjta, 11, Gjilani dhe Feronikeli ’74. Liria është e parafundit në tabelën e renditjes, me 7 pikë, kurse Fushë-Kosova e fundit, me një pikë më pak.