RTSH Sport Live

Milan, humbje pas 242 ditësh, fitojnë Arsenal e Leicester

  • 05/11/2020
  • |
  • UEFA Europa League
Milan, humbje pas 242 ditësh, fitojnë Arsenal e Leicester

Në ditën e tretë të Europa League, Milani është surprizuar nga Lille, me skuadrën franceze që ka arritur të marrë një fitore 3-0 në “San Siro”. Heroi i mbrëmjes është Yusuf Yazici, i cili arriti të shënojë triplet në këtë sfidë. Sulmuesi turk ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 22-të nga pika e bardhë e 11-metërshit. Në pjesën e dytë mbyll të gjitha llogaritë duke shënuar dy gola në tre minuta: 55’ dhe 58’. Milani provon kështu shijen e humbjes pas 242 ditësh. Sparta Praga ka mundur Celtic me rezultatin 4-1(triplet e Julis) dhe zhvendoset në vendin e tretë në Grupin H, ku bën pjesë edhe Milani.

Goleadë për Leicester, që ka mundur Sporting Braga me rezultatin 4-0. Iheanacho(dopietë), Praet dhe Maddison janë autorët e golave. Anglezët, me pikë të plota(9 pikë), mbajnë vendin e parë në Grupin G.

Fitore dhe për Arsenalin, që ka mundur 4-1 Molde. Ellingsen 22’ shënoi në fillim për miqtë, por më pas dy autogola të Haugen 45’ dhe Sinyan 62’, kanë sjellë avantazhin e anglezëve që është shoqëruar dhe me golat e Pepe 69’ dhe Willock 88’.Tri ndeshje, 9 pikë për Topçinjtë, që mbajnë vendin e parë në Grupin B.  

Në këtë mbrëmje të Europa League kanë mbërritur dhe fitoret e para për  Dinamo Zagreb, Feyenoord dhe AEK. Paraqitje e mirë për Lask  dhe Crvena Zvezda, që e kanë mbyllur mbrëmjen me fitore.