RTSH Sport Live

Milot Rashica, gati për aventurën e re: Mezi pres të filloj

  • 15/07/2021
  • |
  • Angli
Milot Rashica, gati për aventurën e re: Mezi pres të filloj
Anësori i Norëich City, Milot Rashica ka dhënë intervistën e tij të parë në klub pas transferimit nga Ëerder Bremen.

"Jam shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar," tha ai. "Thjesht mezi pres të filloj. Jam akomoduar shumë mirë këtu, bashkë me familjen time, gjithçka ishte gati dhe e përgatitur për ne. Tani kam filluar stërvitjen me djemtë dhe vërtet po e shijoj”.

"Gjithçka është e mahnitshme - ambjentet e trajnimit dhe gjithçka që duket, thjesht u hodha atje dhe po e pres me padurim”.

Rashica shpjegoi se ishte biseda e tij me Daniel Farke rreth mënyrës se si ai mund të futet në stilin e lojës së ‘Canaries’, që e bëri të lehtë vendimin.

"Ne kishim disa kontakte më parë,  interesi ishte I madh nga ana ime që nga fillimi", tha ai. "Kam pasur një bisedë me trajnerin dhe ai më shpjegoi se çfarë dëshironte nga unë, stilin e lojës së kësaj skuadre dhe mendoj se mund të përshtatesha shumë mirë. Nuk duhej të mendoja shumë prandaj vendosa të vija këtu”.

“Stili i lojës së ekipit mund të përshtatet shumë mirë me mua sepse ata luajnë futboll sulmues dhe u pëlqen ta mbajnë topin. Shpresoj se mund të përdor cilësitë e mia duke shkuar një për një ose duke bërë një ndryshim. Ne kemi shumë lojtarë të mirë që mund të luajnë topin, kështu që unë do të jem i gatshëm për të bërë vrapimet, për të tentuar kalimin prapa mbrojtjes dhe për të dhënë gjithçka”.

Ndërkohë, Rashica nuk njihte personalisht asnjë nga skuadrat, para se të transferohej në Norfolk. Ishte përballur me Teemu Pukki në një ndeshje ndërkombëtare midis Kosovës dhe Finlandës.

"Është një kohë e gjatë tani", tha ai. "Personalisht, unë nuk njihja askënd nga djemtë këtu, por ata u kujdesën për mua dhe tani ndihem sikur jam këtu prej shumë kohësh”.

“Unë bëra një hap të madh kur u largova nga Hollanda për në Bundesliga. Intensiteti, koha dhe gjithçka ishte ndryshe, por më duhej ca kohë në fillim. Pas kësaj, mendoj se kam kaluar një kohë të mirë atje, shënova disa gola dhe dhashë disa asistime, kështu që pata momente vërtet të mira dhe u zhvillova shumë si lojtar. Tani, mendoj se jam gati për sfidën tjetër".

Sfida tjetër fillon me një mori ndeshjesh para-sezonale para fushatës së Premier League që fillon në shtëpi me Liverpool të shtunën, 14 gusht.

"Të luash kundër Liverpool do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por deri më tani ne kemi një para-sezon shumë të mirë dhe kemi disa javë përpara për të mbërritur deri aty, kështu që unë mendoj se do të bëjmë gjithçka që të jemi sa më të gatshëm për këtë sfidë", tha ai.

"Jam shumë i ngazëllyer dhe shpresoj se do të kemi tifozët nga ndeshja e parë. Do të jetë mahnitëse të fillosh me ta".