Kuqezinjtë e Alban Bushit nuk kanë marrë më shumë se një barazim me shifrat 1-1 përballë Moldavisë. Kombëtarja e moshës deri në 21 vjeç nisi mirë takimin përballë bashkëmoshatarëve moldavë, por me kalimin e kohës u venit në takimin e mbajtur në Vorë.
Dueli i transmetuar nga RTSH Sport nisi mirë për të besuarit e Alban Bushit, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 10-të falë Rashicës, i cili shënoi nga pika e bardhë.
Me kalimin e minutave kuqezinjtë krijuan edhe shanse të tjera shënimi, por pa arritur që të dyfishojnë rrezultatin. Në pjesën e dytë Moldavia arriti që të barazonte shifrat falë rrjetës, e cila kishte për autor Kostin (78’).
Në pjesën e mbetur të ndeshjes sulmet kuqezi u intensifikuan, por portieri moldav u tregua në lartësinë e duhur duke evituar disa gola të sigurt.