RTSH Sport Live

Moti i keq anullon etapën e katërt

  • 25/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Moti i keq anullon etapën e katërt
Shiu i rrëmbyeshëm dhe rrufetë e forta bëhen shkak për ndalimin e pedalimit të çiklistëve

Shirat e rrëmbyeshëm në zonën e Memaliajt dhe rrufetë e forta gjatë rrugës kanë anulluar etapën e katërt të Turit të 80-të të Shqipërisë në çiklizëm, e cila kishte itinerarin Vlorë – Mbrostar – Përmet. Një etapë, e cila ishte e gjatë 185 kilometra, që është nisur me kohë të mirë nga Vlora, por është frenuar për shkak të kushteve atmosferike.

Që Turi të quhet i përfunduar duhet të jenë të mbyllura të pesta etapat e parashikuara, të paktën kjo sipas rregullores së Federatës Botërore të Çiklizmit. Por shkaqet natyrore përmbysin gjithçka, ndërsa më pas çiklistët e ndalur pranë Memaliajt janë transportuar me makinat e tyre në Përmet.

Deri në momentin e ndërprerjes së etapës së katërt është pedaluar në grup, ndërsa fillimisht është shkuar deri në Mbrostar për të kaluar më pas në autostradën Levan – Tepelenë. Hera-herës ka shkëputje të çiklistëve të caktuar, por ajo që e ka bërë të vështirë pedalimin ishte ndryshimi i kohës, që solli reshje shiu të dendura dhe vetëtima, të cilat nuk lejonin ecjen më tej. Edhe për të ruajtur çiklistët nga aksidentet, atëherë është marrë vendimi për anullimin e etapës, ndërsa në renditjen e përgjithshme Stedman dhe Greqia ruajnë pozicionet e tyre.

Etapa e fundit, përtej ndonjë ndryshimi për të plotësuar programin e plotë të Turit të 80-të të Shqipërisë, është Përmet – Fier, që ul dhe siparin e Rrethit çiklistik në vend.