RTSH Sport Live

Myrto Uzuni, ngushëllimi i Ferencvarosh

  • 05/11/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Myrto Uzuni, ngushëllimi i Ferencvarosh
Shënon golin e dytë në Europa Ligë, por hungarezët humbasin përsëri me Sëlltik

Europa Ligë dhe Konferencë Ligë kanë luajtur ndeshjet e katërta në grupe. Dhe ndër shqiptarët e aktivizuar shkëlqen përsëri Myrto Uzuni, i cili në të 86’ ka shënuar golin e dytë për Ferencvarosh, që në fakt është mundur 2-3 në fushën e vet nga Sëlltik. Ndërkohë ka luajtur për 90 minuta Thoma Strakosha në barazimin 2-2 të Olimpik Marsejë me Lacion, kurse Muçi ka hyrë në të 67’ në ndeshjen Legia Varshavë – Napoli 1-4.

Lioni është  skuadra e parë që kualifikohet për më tej në Europa Ligë, ndërsa ka arritur fitoren e katërt, teksa ka mundur 3-0 Spartën e Pragës. Tanimë për vendin e dytë në lojë edhe Rejnxhërs, që barazoi 1-1 me Brondbin, por dhe në një farë mënyre dhe danezët, të cilët kanë 2 pikë në katër ndeshje.

Dy barazime në grupin B, Real Sociedad, 1-1 me Shturm Graz dhe Monako, 0-0 me PSV Eindhoven. Një grup ku të gjithë janë në lojë për dy vendet e para deri në fund. Frankfurti hedh një hap të sigurtë drejt kalimit të raundit, pas fitores 1-2 me Olimpiakos. 10 pikë në katër ndeshje, ndërsa tanimë lufta do të jetë mes skuadrës greke dhe turqve të Fenerbahçes për vendin e dytë.

Mbeten të hapura diskutimet në E dhe F, kurse në grupin G dhe H, Bajer Leverkusen dhe Uest Hem me 10 pikë kanë siguruar kryesimin.  Në Konferencë Ligë, Makabi Tel-Aviv, Lask Linz, Gent, Bodoe Glimt, AZ Alkmaar, Fëjenord, Rëne dhe Karabag me 10 pikë në katër ndeshje duket se janë vetëm një hap larg raundit të dytë. Bie në sy fitorja e dytë e norvegjezëve me Romën, që duket se ia kanë marrë dorën skuadrës së Murinjos, e cila në dy ndeshjet e ardhshme do të duhet të bëjë gjithçka për të qenë në finalen e Tiranës në majin e vitit 2022.