RTSH Sport Live

Nagelsmann thumbon Barçën: Nuk kanë para, por blejnë kë të duan

  • 20/07/2022
  • |
  • Gjermani
Nagelsmann thumbon Barçën: Nuk kanë para, por blejnë kë të duan
Trajneri i Bayern për ‘Sky Sports’: “Nuk e di si është e mundur që kanë gjithë këtë likuiditet, më duket e çuditshme”

Robert Lewandowski kaloi te Barcelona për një shumë fikse prej 45 milionë eurosh, plus 5 milionë bonuse në varësi të arritjeve të ndryshme. Sulmuesi 34-vjeçar polak është bërë kështu përforcimi i katërt i katalanasve në treg pas Christensen dhe Kessié (pa pagesë) dhe investimit prej gati 58 milionësh për Raphinha nga Leeds. Ky përshpejtim në merkaton e klubit blaugrana, me një shpenzim neto afër 80 milionë euro, pavarësisht kontekstit delikat ekonomik, befasoi Julian Nagelsmann, i cili deklaroi për ‘Sky Sports’: “Barcelona është i vetmi klub që nuk ka para, por blen të gjithë lojtarët që dëshiron. Nuk e di si është e mundur që ta kenë këtë disponueshmëri. Më duket e çuditshme, pak e çmendur".

Trajneri i Bayern nuk e fshehu gëzimin e tij për ardhjen e De Ligt: “Jam shumë i lumtur që kemi nënshkruar me De Ligt. Ai është një nga qendërmbrojtësit më të talentuar në botë dhe është ende i ri. Është një shenjë e mirë për ne dhe për Bundesligën që na kanë zgjedhur. Është gjithashtu një kërcënim në zonën kundërshtare, shpresoj që ai të shënojë 7-8 gola”.

Më pas ishte radha e Gravenberch, i cili u rrit tek Ajax ashtu si ish-juventini. "Ryan bëri një përshtypje të madhe. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe gjithmonë ka ide të mira. Ka ende potencial mbrojtës,  është i gatshëm ta bëjë këtë dhe kjo është një gjë e mirë. Me largimin e Goretzka-s, ai së shpejti ka një shans për të lënë gjurmë në lojën tone”.

Në fund, një koment për Sadio Mané: "Është një shenjë e mirë për Bayernin dhe Bundesligën që lojtarët e këtij kalibri kanë zgjedhur Bayernin. Ne humbëm një sulmues, por ne kemi fituar një tjetër dhe një mbrojtës më shumë (De Ligt). Pra, ne jemi të pajisur mirë".