RTSH Sport Live

Nga Gomez te Çeh: Nojer si Mesi!

  • 18/04/2024
  • |
  • UEFA Champions League
Nga Gomez te Çeh: Nojer si Mesi!

Në moshën 38-vjeçare jo vetëm mban portën pa pësuar gol, por merr pjesë në ndërtimin e aksionit si të ishte një mesfushor qendre.

Manuel Nojer ka hyrë në historinë e Ligës së Kampioneve pasi renditet i pari për ndeshje pa pësuar gol. Në 138 takime nuk ka pësuar gol në 58 prej tyre. Ndërsa rekordin e mbante Iker Kasijas me 57 në 177 ndeshje.

“Urime Manuel Nojerit, një arritje e madhe në Ligën e Kampioneve”, ka shkruar Peter Çeh në rrjetet e tij sociale.

Ndërsa Mario Gomez, ish-sulmuesi i Bajernit, ka vlerësuar Nojerin duke e krahasuar me Mesin. “Mendoj se ajo çfarë po bën Manuel Nojer na detyron ta krahasojmë me Lionel Mesin. Nojer me duar bën atë çfarë bën Mesi me këmbë. Ndërsa aftësia e Nojerit me topin në këmbë e bën atë një lojtar mjaft të vlefshëm për Bajernin dhe Gjermaninë. Ai është një lojtar, i cili duke luajtur me këmbë ka vendosur një standard të lartë”, tha Gomez.