Një Kategori Superiore “deficitare”. Kështu mund të cilësohet me plot gojën niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit në këto 15 javë të para të sezonit të tij aktual dhe kjo vlen në të gjitha aspektet. Duke i hedhur një vështrim të shpejtë tabelës së renditjes, teksa kanë mbetur edhe 3 javë derisa ky kampionat të mbërrijë gjysmën e sezonit të tij të rregullt, do të vërenim se janë vetëm 4 skuadra që kanë një golaverazh pozitiv. Ato janë Egnatia kryesuese, që e ka +17, Partizani i vendit të dytë, që e ka +10, Tirana e vendit të 3-të, që e ka +1 dhe Laçi i vendit të 7-të, që e ka +2.
Të 6 skuadrat e tjera janë në të kuqe, duke nisur nga Skënderbeu i vendit të 3-të, që e ka -2, Dinamo e vendit të 5-të dhe Erzeni i vendit të 8-të me -3, Vllaznia e vendit të 6-të me -4, tek Kukësi i parafundit me -7 apo Teuta e fundtabelës, me -11, apo thënë ndryshe, që ka shënuar dyfishin e golave që ka pësuar.
Madje statistika e golave të pësuara ofron edhe çudira, teksa Teuta e vendit të fundit ka pësuar vetëm një gol më pak sesa Tirana e vendit të 3-të, ndërsa konfirmon si pretendente të vërteta për titull Egnatian dhe Partizanin, që janë mbrojtjet më të mira, me vetëm 12 gola të pësuar, me rrogozhinasit që janë në krahun tjetër sulmi më i mirë, me 29 gola të shënuar, të ndjekura nga të kuqtë dhe bardheblutë e kryeqytetit, me nga 22 gola.
Por jo vetëm në gola, Superiorja është deficitare edhe në pikë, teksa vetëm Egnatia dhe Partizani bëjnë dallimin, pasi kanë marrë përkatësisht 33 dhe 30 nga 45 pikët e mundshme, pra, më tepër se 60 % të pikëve, ndërsa duke nisur nga vendi i 3-të, Tirana, që ka marrë 22, e më poshtë, janë marrë më pak se gjysmat e pikëve të mundshme.