RTSH Sport Live

Nojer nuk mund të jetë më kapiten i Bajernit

  • 06/02/2023
  • |
  • Gjermani
Nojer nuk mund të jetë më kapiten i Bajernit
Lotar Mateus zemërohet me portierin që kritikon vendimet e klubit

Lothar Matthaus nuk ka qenë aspak dakort me intervistën e fundit të dhënë nga portieri i Bajernit të Mynihut. Madje ai është shprehur se pas kësaj, Manuel Neuer nuk e meriton më të jetë kapiten. Nojer bëri bujë në Bavari kur publikisht vuri në dyshim vendimin e  klubit të vet për shkarkimin e trajnerit të portierëve, Toni Tapalovic, i cili e mbante këtë detyrë që nga viti 2011. Nojer e ka quajtur të çmendur vendimin e klubit.

Matthaus tepër i zemëruar për këtë intervistë të pa autorizuar nga portieri mendon se një ndryshim i kapitenit tani në skuadër është i nevojshëm. “Nojer, nga pakujdesia u dëmtua duke bërë ski dhe tani jep një intervistë të pa autorizuar në të cilën sulmon ashpër klubin. A nuk kishte thënë disa javë më parë se askush nuk ishte mbi klubin? Ndërsa tani ndodh e kundërta. Mendoj se një kapiten nuk mund të bëjë këto gjëra” – ka thënë tepër i revoltuar Mateus.

Me incidentin gjatë skijimit si dhe intervistën e fundit, portieri i ka bërë një 'shërbim të keq' Bayernit. Gjëra këto që e kanë zemëruar shumë Matthaus-in. Neueri i tha Athletic se me shkarkimin e Tapalovic ai 'ndihej sikur i kishin shqyer zemrën’. Tapalovic u shkarkua muajin e kaluar pasi trajneri i Bayernit, Nagelsmann zbuloi se ai kishte bërë disa biseda të pakëndshme në ambjentet e klubit me disa lojtarë.

“Ajo që më shqetësoi shumë në intervistën e Manuelit është zgjedhja e ekzagjeruar e fjalëve”, vazhdoi Matthaus. Intervista e Nojerit ka shqetësuar edhe trajneri Nagelsmann. Në një kohë që Bayerni kishte tre ndeshje pa fitore, deri në atë të fundit 4-2 ndaj Ëolfsburgut, trajneri ka shprehur shqetësimin se skuadra nuk duhet të shpërqëndrohet me gjërat që ndodhin jashtë fushës.

Bayern aktualisht është në krye të Bundesligës me një pikë të vetme, përpara Union Berlin dhe tre pikë përpara Borussia Dortmund pas 19 ndeshjeve të luajtura.