Duket se Lojërat Olimpike kanë sjellë edhe pasojat e tyre negative në Japoni, përsa i përket përhapjes së coronavirusit. Asaj që mjekët japonezë i druheshin ndodhi. Pas përfundimit të Olimpiadës, Japonia ka regjistruar për herë të parë që nga fillimi i pandemisë më shumë se 20 mijë raste të reja të të infektuarve me Covid-19, e midis tyre është edhe një grua e infektuar me variantin e ri Lambda. Qyteti i Tokios është më i prekuri, me 5,773 raste, një rekord deri më sot dhe një rritje prej 8.8% në krahasim me javën e kaluar, kur 5,042 infeksione u regjistruan në 5 gusht.
Numri i pacientëve COVID-19 me simptoma të rënda në të gjithë Japoninë u rrit në nivelin më të lartë në histori prej 1,478 që nga dje, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 1,413 të regjistruar në fund të majit, tha Ministria e Shëndetësisë.
Tokio raportoi një rekord 227 pacientë me simptoma të rënda të premten duke tejkaluar nivelin më të lartë të mëparshëm prej 218 të regjistruar një ditë më parë. Ndërkohë që një grua është bërë rasti i parë në Japoni i infektuar me variantin Lambda të koronavirusit, i lidhur me Olimpiadën e Tokios, thanë burimet qeveritare këtë mëngjes. Rastet e koronavirusit të lidhura me Olimpiadën që u mbyllën të Dielën arritën në 553.