RTSH Sport Live

Olivier Giroud i thotë lamtumirë Francës

  • 24/05/2024
  • |
  • Futboll Bota
Olivier Giroud i thotë lamtumirë Francës

Evropiani i Gjermanisë do të jetë turneu i fundit i Olivier Giroud me kombëtaren. Këtë e ka bërë të ditur sulmuesi 38-vjeçar, i cili në intervistën për L'Equipe ka shpjeguar se në fund të turneut do të largohet nga kombëtarja e Francës, me të cilën luan që nga viti 2011.

Një tjetër lamtumirë për ish-qendërsulmuesin e Arsenalit dhe Chelseat, i cili tashmë ka zyrtarizuar transferimin e tij në Los Angeles, pas tre vitesh te Milani.

"Kampionati Europian do të jetë kompeticioni im i fundit me kombëtaren e Francës. Duhet t'u lëmë vend të rinjve. Mendoj se mund të luaj edhe dy vite të mira në karrierën time me Los Angeles, por i them mjaft kombëtares". Ai shënoi 57 gola me kombëtare e Francës, një rekord i të gjitha kohërave për Olivier Giroud që i paraprin një kampioni si Henry me 51 gola dhe bashkëlojtarëve të tij aktual Mbappé me 46 dhe Griezmann 44. Giroud zë podiumin e paraqitjeve me kombëtaren, me 131 ndeshje, pas Lloris me 145 dhe Thuram me 142.

Me fanellën e Francës, kulmin e arriti në Kupën e Botës në Rusi në 2018, një edicion i fituar si titullar, pavarësisht se nuk e gjeti kurrë golin. Më parë, sulmuesi francez ishte afër fitimit të titullit evropian, kur në 2016 u zhvillua në Francë, një finale e humbur kundër Portugalisë si dhe në Kupën e fundit të Botës në Katar 2022, e cila u fitua nga Argjentina e Messit.