RTSH Sport Live

Olsian Veliaj fitues i Kupës “Agim Tafili”

  • 08/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Olsian Veliaj fitues i Kupës “Agim Tafili”
Çiklizmi shqiptar bëhet gati për Turin e Shqipërisë më 22-26 maj

Kupa “Agim Tafili” tashmë është një aktivitet i përvitshëm i çiklizmit shqiptar, ndërsa është zhvilluar këtë fundjavë duke përshkruar të gjitha rrugët që lidhen me kryeqendrën e veriut në Shqipëri. Është garuar për të rinj dhe Elitë e moshën deri në 23 vjeç, ndërsa kanë qenë dy etapa. E para të premten me gjatësi 122.6 kilometra, që kishte për itinerar Fushë-Krujë – Rruga e Velipojës – Torrovicë – Rranxë – Balldren – Torrovicë – Shkodër, është fituar nga çiklisti i Tiranës, Olsian Veliaj, si dhe për të rinj nga çiklisti i Vllaznisë, Flavio Venomi. Etapën e dytë, me gjatësi 108 kilometra dhe itinerar Shkodër – Balldren – Fishtë – Hajmel – Vau i Dejës – Gomsiqe e kthim, është dominuar nga Tefiku Sallahi i Tiranës dhe përsëri Flavio Venomi i Vllaznisë. Dhe në renditjen e përgjithshme fitues i Kupës “Agim Tafili” ishte Olsian Veliaj.

"Kishte pak vështirësi. Faleminderit ekipit që më mbështeti, ndërsa kemi një muaj që përgatitemi për Turin e Shqipërisë. I uroj çiklistëve suksese dhe punë e vetëm punë", shpjegon Tefik Sallahi.

"Jemi stërvitur dhe kemi dy muaj që po përgatitemi. Më shumë synimi ynë është Turi i Shqipërisë, i cili mbahet këtë muaj, ndërsa nis më 22 maj. Jemi të grumbulluar si kombëtare dhe shpresojmë të bëjmë një figurë sa më të mirë", nënvizon Olsian Veliaj.

Çiklistët janë përshëndetur nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

"Kjo kupë do të vazhdojë e përvitshme dhe Bashkia e Shkodrës do të jetë ndër promotorët e mbështetësit kryesor të këtij aktiviteti, por dhe shumë aktiviteteve të tjera sportive", thotë kryebashkiaku Spahia.

"Kanë qenë disa sportistë me radhë, të cilët Bashkia e Shkodrës ka ditur t'i nderojë dhe t'i respektojë. Dhe ky është një nder shumë i madh. Unë Bashkinë e Shkodrës e kam partnere", flet me respekt presidenti i çiklizmit shqiptar, Anxhaku.

Ndërkohë ky aktivitet është si prag i Turit të Shqipërisë, që starton më 22 maj dhe përfundon më 26 maj. Ndaj dhe trajneri i Vllaznisë, Leonard Kola, për Radio Televizionin Shqiptar ka treguar paraqitjen e skuadrës kuqeblu.

"Vllaznia ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë për të vazhduar sa më gjatë traditën e çiklizmit shkodran. Ne shpresojmë që ta ngremë lart e më lart këtë traditë që kemi", pohon trajneri Kola.

Pas garave të Montebajkut në Kodrat e Liqenit, aktivitetit të Ditës së Verës në Elbasan dhe Kupës “26 Marsi” në Kavajë, Kupa “Agim Tafili” në Shkodër ishte aktiviteti i katërt i çiklizmit shqiptar për vitin 2023.