Rikthehet faza e dytë e Kategorisë së Dytë dhe Oriku i ka objektivat e qartë. Kërkohet vajtja në Play-off dhe ngjitja në Kategorinë e Parë, ndërsa aktualisht Oriku ndodhet në vendin e tretë të grupit B. Starti i fazës së dytë është në transfertën e vështirë të Peqinit ndaj Shkumbinit vendës. Si për trajnerin Sherif Idrizi, ashtu dhe presidentin Muharrem Jazoj, skuadra dhe pse është 7 pikë larg vendit të parë i ka mundësitë për t’u ngjitur një Kategori më lartë.
"Ne pretendojmë që do të luftojmë fort. Deri në fund nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të tolerojmë. Jemi shtatë pikë pas vendit të parë, por pretendojmë që kundërshtari të bëjë një hap fals dhe të përfitojmë ne", shpjegon Idrizi.
"Kemi një ekip shumë të mirë. Kemi një grup shumë të mirë. Të gjithë djem që vijnë nga Vlorë dhe nga Akademia Flamurtari. Janë djem të rinj, të gjithë moshë e re dhe unë besoj shumë tek ky grup. Ndaj dhe po i qëndrojmë afër dhe po investojmë për ta", nënvizon Jazoj.
Oriku ka një stabilitet dhe në anën financiare dhe skuadra është e qetë tashmë për t’u përqendruar vetëm në fushën e lojës dhe realizimin e objektivave.