RTSH Sport Live

Padeli sjell turneun e parë ndërkombëtar

  • 12/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Padeli sjell turneun e parë ndërkombëtar
Alensio Seranaj dhe Alvin Shehu përfaqësuesit e Shqipërisë në këtë aktivitet

Albania Padel Group tashmë ka mbërritur në nivelin më të lartë të organizimit të aktiviteteve. Që nga e premtja, në kompleksin e Padelit në Stërmas të Tiranës, ka nisur turneu i parë ndërkombëtar, ndërsa Alensio Seranaj dhe Alvin Shehu përfaqësojnë Shqipërinë. Të dy sportistët kuqezi, që prej vitesh jetojnë e stërviten në Itali, kanë treguar emocionet e tyre për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.

 “Jam shumë i kënaqur, por njëkohësisht dhe i emocionuar të jem këtu në këtë event shumë të bukur. Për mua është hera e parë që e shoh dhe vizitoj këtë impiant. Është emocionuese sepse është hera e parë që ndodh të luajë për Shqipërinë. Jemi shumë të kënaqur si unë, ashtu dhe miku im Alensio të luajmë për Shqipërinë”, deklaroji Alvin Shehu

 “Unë e luaj padelin prej 8 vitesh, kjo që nga 2015-ta. Luaj dhe bëj trajnerin në Itali me Barletën. Administroj një shkollë padeli. Niveli i turneut është shumë i lartë. Dje kemi mbërritur këtu dhe këtu ka lojtarë spanjollë, që e luajnë padelin prej gati 15 vitesh. Por do ta provojmë deri në fund”, pohon Alensio Seranaj

Por çfarë do të thotë për Albania Padel Group ky turne? Alessandro Pallini dhe Era Gjoni japin këtë përgjigje për RTSH Sport.

 “Ne jemi shumë të emocionuar që zhvillojmë këtë turne. Kemi më shumë se sa një vit që po kërkojmë ta zhvillojmë këtë turne, ndërsa kemi sjellë në Shqipëri 30 skuadra në nivelin ndërkombëtar të padelit. Ndaj dhe jemi shumë të kënaqur”, thotë Pallini.

"Normalisht të sjellësh për herë të parë një turne ndërkombëtar në Shqipëri për një sport që deri dje askush nuk e njihte është një sfidë më vete. Por jemi shumë të lumtur që ia arritëm ta realizonim", tregon Era Gjoni.

Nga Pallini vjen dhe vlerësimi i asaj çfarë do të japin në fushën e lojës Shehu dhe Seranaj për Shqipërinë.

 “Ata luajnë prej disa vitesh në Itali. Por më në fund, falë dhe mbështetjes sonë, do të bëjnë pjesë në kombëtaren e Shqipërisë dhe do të mundohemi që të rrisim dhe ata për të mirën e padelit kuqezi”, nënvizon Pallini.

Por sa e vështirë ka qenë organizimi i këtij turneu? Gjoni tregon

"Të themi të drejtën ishte shumë e vështirë. Ka peripecitë e veta. Normalisht kemi qenë gjatë gjithë kohës në bashkëpunim me Federatën Botërore të Padelit, të cilët kanë disa kërkesa shumë specifike e disa parametra që duhet t'i kemi me patjetër në organizimin e turneut. Dhe ka qenë një punë shumë e madhe", deklaron Era Gjoni.

Ndërkohë pritshmëritë e Albania Padel Group janë të mëdha për këtë turne, i cili përfundon të dielën

“Ajo që është e sigurtë është që shumë njerëz do të vijnë ta shohin këtë turne në kompleksin tonë. Madje dhe shumë fëmijë e të rinj për t'u bindur që duhet ta përqafojnë dhe këtë sport të ri argëtues që duke u rritur në vendin tonë. Pra padelin”, nënvizon Pallini.

Mes konkurrentëve ka dhe shqiptarë, të cilët kanë vite që kanë ikur, por që tanimë provojnë të luajnë padel. Një i tillë është dhe Hajri Kaci

"Kënaqësi të kthehem në atdhe dhe të luaj sport, që në fakt është pasioni im. Mendoj që të jenë sa më të shumtë ambiente të tilla, sepse sa më shumë t'i jepet rëndësi këtij sporti, aq më mirë është për të gjithë. Jeta pa sport është bosh", shpjegon Hajri Kaci.

Në fund, Gjoni në rolin e sekretares së Albania Padel Group ka treguar se tanimë do të kërkohet që turneu ndërkombëtar të jetë i përhershëm.

"Normalisht që qëllimi është ta bëjmë të përhershëm. Të përvitshmë apo pse jo dhe çdo dy muaj e çdo tre muaj të sjellim turne të niveleve të ndryshme që nisin nga Promotion Albania Open. Për të vazhduar me turne të nivele të tjera rain apo star. Janë nivele pak më të larta", ka përfunduar Era Gjoni.