RTSH Sport Live

Padeli, sporti më i ri në vend

  • 03/12/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Padeli, sporti më i ri në vend
Më 12 dhjetor, në Stërmas, bëhet inaugurimi i kësaj disipline të re për shqiptarët

Padeli është sporti më i ri në vend, që inaugurimin e tij zyrtar do ta ketë të dielën e 12 dhjetorit. Pikërisht në mbrëmjen e saj të diele, në Stërmas, do të bëhet promocioni i këtij sporti, ndërsa administratori i Albania Padel Group, Alesandro Palini, shpjegon për RTSH Sport idenë e lindjes së kësaj iniciative për ta sjellë në vendin tonë këtë disiplinë.

 “Unë dhe partneri im Paskuale jemi shumë të dhënë pas sportit dhe kemi vendosur të sjellim në Shqipëri këtë disiplinë të re sportive, që është duke u përhapur në të gjithë Europën, sidomos në Itali e Spanjë. Ne mendojmë që Shqipëria është vendi më i përshtatshëm për këtë sport, sepse luhet nga të gjithë pa dallim moshe. Pra nga 7-70 vjeç dhe nuk është sport që do shumë stërvitje. Me mundësitë që ne ofrojmë mund t’i edukojmë të gjithë për të luajtur e zhvilluar këtë sport”.

Por çfarë është Padeli dhe si luhet? Palini zbulon

 “Luhet shumë thjeshtë, dy kundër dy në fusha që janë thuajse të vendosura në një sipërfaqe prej 200 metra katror. Është sport që nuk do shumë kondicion fizik, apo teknik, thjeshtë shihet si lojë e jo si garë. Të jep mundësinë të përdoresh dhe muret rrethuese, apo xhamat e fushës për ta goditur topin. Raketat janë thuajse si të tenisit, por pak më ndryshe”.

E ndërkaq, edhe duke patur mbështetjene e shumë institucioneve shtetërore, Palini parashikon dhe të ardhmen e këtij sporti në vend.

 “Ne kemi një projekt të madh. Kemi kontaktuar dhe me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, e cila na ka premtuar se do të na mbështesë në këtë projekt. Kërkojmë ta përhapim në të gjithë Shqipërinë duke ndërtuar edhe 200 fusha të tjera, sepse mbi të gjitha kemi pasidonin për ta bërë padelin sport të dashur për të gjithë. Kemi nisur përgatitjet për krijimin e Federatës Shqiptare të Padelit, që do të na lejojë ta përhapim gjithkund, pra atje ku duan ta promovojnë si sport”.

Kështu në hartën e disiplinave sportive në vend përfshihet dhe padeli, ndërsa të gjithë janë të bindur se shqiptarët do ta luajnë në masivitet të madh.