RTSH Sport Live

Partizani e Tirana fitojnë aktin e parë

  • 12/04/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Partizani e Tirana fitojnë aktin e parë
Nisin gjysmëfinalet e Superligës së meshkujve, sfida e Shijakut erdhi drejtpërdrejt në RTSH 3

Pas Superligës së femrave të enjten, edhe Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, ka nisur të premten rrugëtimin e “play-off”-it të titullit, teksa në kryeqytet dhe në Shijak janë luajtur takimet e para të gjysmëfinaleve. Kështu, Partizani e ka mbyllur shpejt, në 3 sete, duelin e parë në shtëpi ndaj Vllaznisë, në takimin e zhvilluar më herët.

Skuadra e trajnerit Ylli Tomori i fitoi me shifrat identike 25-20, të 3 setet dhe 25-23 dhe shkon në sfidën e së hënës në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës me synimin për ta mbyllur në dy ndeshje çështjen e kalimit në finale. Ndërkaq, në duelin tjetër, të luajtur më vonë, Tirana e ka mbyllur në 4 sete duelin e parë në fushë të huaj ndaj Erzenit.

Në takimin e zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, dhe pamje të të cilit na sjell kjo kronikë, skuadra e drejtuar nga trajneri Ben Sako, e ka fituar në 23 minuta setin e parë, me shifrat 25-21, duke vijuar të mbizotërojë edhe në të dytin, duke e fituar edhe atë në 28 minuta me shifrat 25-22 dhe duke kryesuar kështu 2-0 me sete.

Ndonëse Erzeni do të reagojë në setin e 3-të dhe do ta fitojë atë, 25-22, në 25 minuta lojë, Tirana ka vijuar ta marrë edhe setin e 4-t në 24 minuta, me shifrat 25-17, dhe gjithë ndeshjen 3-1 me sete.

Takimet e dyta të gjysmëfinaleve të “play-off”-it të titullit në Superligën e volejbollit të meshkujve luhen të hënën në mbrëmje.