RTSH Sport Live

Partizani fiton derbin e tregut

  • 27/11/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani fiton derbin e tregut
Të kuqtë janë skuadra më e shtrenjtë, me 10 lojtarë mbi 300 mijë euro, Tirana vetëm një

Partizani është skuadra me vlerën më të lartë në treg ndër gjithë skuadrat e Abissnet Superiore, ndërsa Tirana është e katërta. Të kuqtë kanë lojtarin më të shtrenjtë të kampionatit, Arinaldo Rrapaj, gjithsej 10 me vlerë mbi 300 mijë euro, krahasuar me vetëm një të Tiranës, që vlen sa gjysma e Rrapajt.

Partizani kryeson renditjen e skuadrave të Abissnet Superiore për vlerën në treg, duke qenë skuadra më e shtrenjtë e Shqipërisë, ndërsa rivalja e përjetshme Tirana, me të cilën do të ndeshet të dielën, renditet e katërta. Sipas sitit të specializuar për transferimet dhe vlerat e lojtarëve dhe skuadrave në treg, Partizani vlen 5.75 milion euro, me një mesatare 213 mijë euro për secilin nga 27 lojtarët e tij. Tirana vlen në treg 4.45 milion euro, ose 1.3 milion euro më pak se Partizani, mesatarisht 171 mijë për çdo lojtar, të cilët në organikë janë 26.

 Tirana gjendet poshtë Vllaznisë e Dinamos, por ka kapërcyer në këtë renditje Egnatian, e cila vlen 100 mijë euro më pak. Diferencat midis Partizanit dhe Tiranës janë të dukshme edhe për sa u përket vlerave individuale të lojtarëve. Të kuqtë kanë dhjetë lojtarë që vlejnë nga 300 mijë euro, duke shkuar deri në 600 mijë euro, që është vlera e Arinaldo Rrapajt, lojtari më i shtrenjtë jo vetëm i skuadrës, por i të gjithë kampionatit.

Te Tirana, lojtari më i shtrenjtë është Walid Jarmouni, 300 mijë euro, dhe i vetmi në skuadër që e arrin këtë shifër, ndërkohë që janë një numër lojtarësh me vlerë 250 mijë euro në treg. Deri tani, Partizani pasqyron vlerën e tregut edhe në renditjen e kampionatit, ku mban vendin e parë, ndërsa Tirana është e shtata. Megjithatë historia e futbollit tregon që derbi nuk do t’ia dijë as për renditjen e kampionatit, dhe as për atë të vlerave në treg.