RTSH Sport Live

Partizani merr një sulmues nga Holanda

  • 24/01/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani merr një sulmues nga Holanda
Fabian Shahaj huazohet nga ADO Den Hag tek të kuqtë kryeqytetas

Është shndërruar në një itinerar evropian me vajtje-ardhje merkatoja e Partizanit në këtë dritare dimërore, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri italian Xhovani Kolela ka pësuar ndryshime të ndjeshme në organikë. Kështu, të kuqtë kryeqytetas kanë humbur brenda dy ditëve të fundit shtyllën e mbrojtjes, Eneo Bitrin, por edhe golashënuesin më të mirë, Xhuliano Skuka, të cilët kanë lëvizur përkatësisht drejt Republikës Çeke dhe Francës, për një total prej 1 milion e gjysmë Eurosh. Megjithatë, teksa ka humbur edhe kreun e renditjes pas javës së 17-të, duke zbritur në vendin e dytë, një pikë pas rivales së përjetshme të kryeqytetit, Tiranës, Partizani nuk ka humbur kohë, teksa drejtori sportiv, Elton Marini, nuk ka ndenjur duarkryq dhe ka arritur të afrojë një sulmues të talentuar.

Bëhet fjalë për 20-vjeçarin shqiptar Fabian Shahaj, i cili ka luajtur në Holandë për ADO Den Hag. Ai do të vijë në formën e huazimit te klubi i “demave të kuq”. Shahaj ka qenë pjesë e ekipit tonë të Kombëtares kuqezi të Nën-19-vjeçarëve, ku ka spikatur me paraqitjen e tij. Në këtë gjysmë të parë të sezoni në Holandë, Shahaj ka shënuar 4 gola në 17 paraqitje gjithsej. Mbetet për t’u parë sesa shpejt do të përshtatet Shahaj me Partizanin dhe lojën e Kolelës, teksa ka një detyrë të vështirë për të përmbushur, siç është zëvendësimi i Skukës, ndërsa mbushja e arkës së klubit i ka dhënë Partizanit edhe mundësi të shqyrtojë mundësi të tjera përforcimi, teksa është përmendur edhe një lojtar holandez i Almeres, Xheredi Hilterman, i cili militon në nivelin e dytë të kampionatit vendas dhe është golashënuesi më i mirë, me 12 gola të shënuar dhe 3 pasime për gola pas 21 ndeshjeve të luajtura.

Po kështu është përmendur edhe një futbollist nigerian që ka shkëlqyer në pjesën e parë të këtij sezoni në Kosovë.  Bëhet fjalë për sulmuesin 23-vjeçar, Kristian Mba, i cili në 18 ndeshje ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 5 pasime për gol me klubin nga Mitrovica, Trepça ‘89. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim sesa do të konkretizohen këto lëvizje.