Partizani ka afruar dy lojtarë deri tani për të zëvendësuar largimet e tre lojtarëve të rëndësishëm. Nigeriani Ismail dhe bjellorusi Podstrelov janë marrë për të plotësuar boshllëqet në krahët e mbrojtjes dhe të sulmit, në pritje të përforcimeve të tjera.
Partizani do të ketë ndryshime të mëdha vitin e ardhshëm me largimin e tre lojtarëve të rëndësishëm, siç janë Arinaldo Rrapaj, Tedi Cara dhe Andi Hadroj. Të tre do të luajnë në tri skuadra të kampionatit ukrainas duke nisur që nga janari, ndërkohë që nga Partizani mund të largohet edhe Kristian Mba, nëse ofertat për të janë bindëse.
Tre largime që sigurisht ia vështirojnë punën trajnerit Aleksandar Veselinoviç, edhe pse afrimet mund të jenë cilësore, për shkak të kohës së nevojshme për t’u ingranuar në mekanizmat e ekipit. Megjithatë, klubi ka punuar për afrimet dhe deri tani ka siguruar dy lojtarë që do të jenë të pranishëm me rinisjen e stërvitjes në ditët e para të janarit. Njëri është mbrojtësi i djathtë nigerian Akinola Sodiq Ismail, i cili vjen nga vjen Remo Star i Nigerisë.
Ismail është 21 vjeç dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë nën moshën 23 vjeç në Afrikë. Lojtari tjetër me të cilin është arritur marrëveshja është Dmitrij Podstrelov, i cili vjen nga Dinamo Minsk. Bjellorusi 26-vjeçar është sulmues i krahut të djathtë dhe ndeshjen e fundit me skuadrën e tij e luajti kundër Panathinaikosit të enjten e kaluar në Conference League.
Të dy lojtarët e rinj janë të gatshëm për të luajtur, pasi kanë qenë aktivë me skuadrat e tyre dhe nuk kanë probleme me përgatitjen. Ismaili pritet të zërë vendin në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Podstrelov mund të alternohet me Zekën për vendin në krahun e djathtë apo për të zëvendësuar Carën nga e majta.