RTSH Sport Live

Partizani, Shehi: Me synime të qarta

  • 24/07/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Shehi: Me synime të qarta
“Besoj se kemi mjaftueshëm njohuri për futbollin gjeorgjian”.

Partizani bëhet gati për ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës, përballë është FC Iberia 1999(Gjeorgji). Ndeshja do të luhet në “Mikheil Meskhi Stadium” në Tbilisi duke nisur nga ora 18:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Orges Shehi ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka shpalosur objektivat.

Gjendja e skuadrës dhe formacioni që do të zbresë nesër në fushë.

“Na presin dy ndeshje të tjera në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Nuk mendoj që në letër kjo ndeshje ka favoritë. Ne kemi ardhur këtu me synimin e qartë që në ndeshjen e parë, pavarësisht se kemi edhe takimin e kthimit, të kalojmë në raundin tjetër”.

Sa informacion keni për ekipin e Iberias dhe futbollin gjeorgjian?

“Sigurisht e njohim skuadrën e Iberias pasi Partizani është përballur 2 vite më parë. Por edhe vetë personalisht jam përballur vitin e kaluar me Dinamo Batumin kur drejtoja Tiranën. Besoj se kemi mjaftueshëm njohuri për futbollin gjeorgjian. E dimë që futbolli juaj këtu ka bërë përparime për më tepër që ashtu si Shqipëria edhe Gjeorgjia ishin pjesë e Evropianit 2024. Kemi njohuri, pavarësisht se çdo skuadër ka objektivat e veta”.

Do të ketë ndryshime formacioni që luajti ndaj Marsaxlokk?

“Në dy përballjet që kemi zhvilluar ndaj Marsaxlokk kemi aplikuar skema të ndryshme. Patjetër që përballë çdo kundërshtari do të kemi strategjinë tonë gjithmonë në raport me ekipin që luajmë. Sot kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Mund të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshja e fundit në emra. Gjithsesi mos prisni prej meje që t’ju zbuloj këtu në konferencë me kë do luaj dhe si do të luajmë nesër”.

Shqipëria për të dytën dhe Gjeorgjia për të parën herë kanë provuar emocionet e finaleve të një Kampionati Evropian...

“Po për të dytën herë Shqipëria ka rregjistruar një arritje të tillë. Herën e parë pjesë e ekipit përfaqësues në Francë kam qenë edhe unë. Si Shqipëria dhe Gjeorgjia kanë bërë progres në zhvillimin e futbollit. Futbolli nuk zhvillohet vetëm në fushë duke luajtur por edhe në infrastrukturë. Për mua është hera e dytë që vij këtu dhe shikoj dy stadiume të mira, ashtu sikurse edhe ne kemi ndërtuar stadiume mjaft të mira. Mendoj që dy vendet janë në rrugën e duhur për të zhvilluar akoma më shumë futbollin dhe arritur të tjera rezultate premtuese”.