Tirana – Peja 03 ishte ndeshja e Ligës Unike “Shqipëri-Kosovë” në basketboll për femra, e cila erdhi drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Peja 03 arrii që të fitonte me 20 pikë diferencë, 87-67, kjo në javën e gjashtë të kësaj gare për femra. Ndeshja nisi më mirë për vajzat bardheblu, të cilat e fituan periodën e parë 23-21. Por perioda e dytë dhe e fundit ishin vendimtare për fatin e ndeshjes, ndërsa pejanet kanë marrë një fitore me vlerë.
10-20 perioda e dytë për Pejën, e cila në pushim ka kryesuar 33-41. E treta 17-15 për Tiranën, kurse Peja 03 ka kryesuar 50-56. Dhe në fund 17-31 dhe 67-87 për Peja 03. Aleksus Devis ishte lojtarja më e mirë për Tiranën, që realizoi 15 pikë, kurse tek Peja u dalluan Aleksis Tolefri me 28 pikë dhe Kalvejon Landrum me 26 pikë. Tanimë Tirana ka dy fitore dhe katër humbje, kurse Peja numëron tre fitore dhe katër humbje.
Në përfundim të ndeshjes është prononcuar vetëm trajneri i Peja 03, Izat Ismajli: “Ne e dinimi që Tirana luante sulmin e shpejtë. Ndaj kemi qenë të detyruar të ndërronim mënyrën e mbrojtjes, kjo në formën e një pikerrolli, që më pas ta godisnim skuadrën kundërshtare në pikat e saj më të dobta. Kështu që u bë një lojë e fortë dhe në një farë mënyrë ne arritëm që në fund të dilnim të fituar. Nuk është e lehtë në këtë Ligë ku të gjitha skuadrat mund të mundin njëra-tjetrën”.