RTSH Sport Live

Përjashtohet Romeo Xega

  • 05/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Përjashtohet Romeo Xega
Federata Shqiptare e Volejbollit dënon dhunën fizike dhe psikologjike të trajnerit korçar

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit ka përjashtuar trajnerin e Korça Volej, Romeo Xegën, ndërsa i ka hequr përgjithmonë licencën e ushtrimit të profesionit të trajnerit. Gjithçka lidhet me ndeshjen gjysmëfinale për vajza të moshës U-16, Korça Volej – Dinamo 3-2, ndërsa në pamjet filmike shihen veprimet e Xegës me lojtaret e tij në një nga pushimet e kërkuara gjatë ndeshjesh.

“Federata Shqiptare e Volejbollit nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv reagon ashpër duke e konsideruar veprim të paprecedent dhunën fizike e psikologjike të ushtruar ndaj lojtareve të Korça Volley përgjatë pushimeve të lojës nga trajneri i tyre, Romeo Xega, i cili ka qenë disa herë objekt i Komisionit të Disiplinës pranë FSHV-së, ku është penalizuar e dënuar me masa të ndryshme disiplinore bazuar në Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës e Disiplinës të FSHV-së”, thuhet fillimisht në komunikatën e shpërndarë në rrjetet sociale nga institucioni më i lartë i rrjetës shqiptare. Për rrjedhojë është marrë vendimi i përjashtimit të Xegës nga volejbolli shqiptar dhe heqja e së drejtës së rolit të trajnerit. E kjo për çdo ekip në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare të Federatës Shqiptare të Volejbollit.

“Federata Shqiptare e Volejbollit është konsekuente në kërkesën për zbatimin me përpikmëri e do të ndëshkojë këdo që thyen Kodin e Etikës e Disiplinës dhe Rregulloren Brendshme duke denigruar figurën e sportit e duke prishur imazhin e lojës së volejbollit”, ka përfunduar komunikata zyrtare.

Ndërkohë në rrjetet sociale Romeo Xega ka kërkuar falje për sa ka ndodhur, ndërsa ndeshjen e kthimit do të jetë në rolin e spektatorit. Gjithsesi, volejbolli duhet të jetë një garë e ndershme për këdo që e ushtron atë.