RTSH Sport Live

Peshëngritja botërore, thellohet skandali

  • 27/06/2022
  • |
  • Të tjera
Peshëngritja botërore, thellohet skandali
  Do të përsëritet votimi për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të IËF-së

Po shndërrohet në një farsë procesi zgjedhor në Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IËF), që mbajti në Tiranë më 25 dhe 26 qershor Kongresin e saj të Jashtëzakonshëm dhe ku u zgjodhën organet e reja drejtuese të organizimit që qeveris shtangën botërore. E teksa irakiani Mohamed Xhalud u zgjodh në mënyrë kontradiktore në postin e presidentit, pas një procesi që shkaktoi kaos dhe skena të shëmtuara të shtunën në sallën e Pallatit të Kongreseve në kryeqytetin shqiptar, të hënën ka shpërthyer një tjetër skandal.

Mësohet se gjasat janë që të mbahet një tjetër raund votimesh për një nga postet më të rëndësishme, pasi në votimin e parë, të mbajtur në Tiranë, u fituesi u shpall përkundër rregulloresh. Hozé Kinones, i cili u shpall gabimisht fitues për postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe, njëkohësisht, edhe mbajtës i thesarit, ka deklaruar se ishte i kënaqur që të mbahej një raund i dytë votimi. Personi që ishte i dyti në këtë votim, italiani Antonio Urso, e ka cilësuar këtë kongres zgjedhor si një “cirk", duke shpërndarë edhe një deklaratë për shtyp për mediat.

Kinones mori 68 vota, kundrejt 60 votave të Ursos, ndërsa 16 votat e tjera i mori kandidati i 3-të, Ali Moradi nga Irani. Për të fituar që në raundin e parë, peruani kishte nevojë për 73 vota, që janë në fakt 50 % plus 1 të votave. Duke qenë se i mungonin 5 vota, duhej të mbahej një raund i dytë me dy kandidatë, Kinonesin dhe Urson. Vetë Kinones është një person i padëshiruar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), duke qenë se është dënuar me pezullim për 5 vjet nga gjykata administrative në vendin e tij, pezullim ky që mbaroi në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa edhe zgjedhja e Presidentit Xhalud ka shkaktuar shumë polemika në arenën ndërkombëtare.

Mbetet për t’u parë se kur dhe ku, por edhe në ç’mënyrë do të organizohet ky raund i dytë i votimeve për postin e postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe, njëkohësisht, edhe mbajtës i thesarit të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, ashtu sikundër mbetet për t’u parë edhe qëndrimi që IOC-ja do të mbajë në lidhje me këto ngjarje të fundit në shtangën botërore, e cila e ka humbur paraprakisht vendin si sporti olimpik të Lojërave të 2028-ës në Los Anxheles dhe rrezikon ta humbë edhe në ato të Parisit në 2024-ën.