Si Milani dhe Interi janë të motivuara për të dhënë maksimumin në përballjen e së hënës. Kjo ndeshje mund të jetë vendimtare për sezonin zikaltër në rast triumfi ndërsa edhe Milanit nuk i mungon motivimi pasi do të bëjë gjithçka për të evituar “festën” e kushurinjve.
“Ndeshja ndaj Interit është një mundësi për t’u ringritur. Vendosini çfarë emri të doni, quajeni një ndeshje për krenarinë, për përgjegjësinë apo për flamurin. Për klasifikimin, apo për eliminimin nga Europa League, unë di që është një ndeshje shumë e rëndësishme. Një fitore në derbi ka shumë domethënie. Nuk dua që të flitet për mua, është folur shumë këto kohë dhe kjo nuk i bën mirë askujt”, tha Pioli në konferencën për shtyp.
“Milani im mund të bëj edhe më shumë. Mua nuk më interesojnë kritikat, gazetarët dhe tifozët mund të flasin sa të duan. Ka nga ata që i bëjnë kritikat duke pasur respekt, ka edhe nga ata që nuk e bëjnë në këtë formë”, komentoi tekniku kuqezi.
“Pres që në stadium të jenë 70.000 tifozë në mbështetje të skuadrës, nuk duhet t’iu interesojë Pioli, por Milani. Në derbi duhet të bëjmë gjithçka që skuadra tjetër të mos e fitojë ndeshjen”, u shpreh Pioli.