Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta nënvizoi një kuriozitet që ndoshta pak njerëz e dinin në lidhje me “xhevahirin” Nwaneri, i cili shënoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Manchester Cityt:
"Ethan ende nuk mund të jetë pjesë e dhomës sonë të zhveshjes, gjë që është e pabesueshme. Ai duhet të vishet diku tjetër edhe në ditën e ndeshjes ", deklaroi trajneri i “topçinjve”.
Numrat e Nwanerit janë mbresëlënës: i lindur më 21 mars 2007, ai tashmë ka bërë histori duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë që ka debutuar në Premier League. Në moshën vetëm 17-vjeçare, ai tashmë është golashënuesi i tretë i skuadrës, me 6 gola në të gjitha kompeticionet. Për më tepër, mesatarja e tij prej 0.97 golave për 90 minuta në fushë e vendos atë përpara çdo lojtari tjetër në Premier League këtë sezon, duke përfshirë Alexander Isak të Newcastle, Mohamed Salah të Liverpool dhe Erling Haaland të Manchester City.
Për shkak të rregulloreve të FA për mbrojtjen e fëmijëve, lojtarët nën moshën 18 vjeç nuk lejohen në dhomën e zhveshjes të skuadrës së parë (të rriturit). Si rezultat, Nwaneri duhet të ndërrohet veçmas përpara se të bashkohet me shokët e tij të skuadrës për përgatitjet përfundimtare para fillimit të ndeshjes.