RTSH Sport Live

Poloni-Shqipëri, Silvinjo: Të bëjmë lojën tonë

  • 26/03/2023
  • |
  • Kombëtarja
Poloni-Shqipëri, Silvinjo: Të bëjmë lojën tonë
 Trajneri i Kombëtares flet në nisje të Eliminatoreve, Cikalleshi beson tek skuadra

Shqipëria e tij është gati dhe trajneri Silvinjo duke se mezi po e pret ndeshjen e së hënës me Poloninë.

 “Po, jemi gati. Pas dy muajsh e gjysmë punë, për të kuptuar pak lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi, kemi parë 240 lojtarë dhe zgjedhur 23 për të bërë këtë ndeshje. E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë”.

Në konferencën e tij të fundit për shtyp të dielën, braziliani i stolit kuqezi ka theksuar se tashmë e njeh ekipin dhe formacionin e ka të qartë.

 “E kemi vendosur ekipin. Siç e thashë jemi gati, por jemi gati të 23. Ajo që duam është punë grupi, atmosferë dhe ambient i mirë dhe Cikalleshi është një prej tyre, i rëndësishëm, i fortë si të tjerët. Kemi formacionin titullar që do të shihni nesër. E rëndësishme për mua, pasi i njoha të gjithë, i stërvita, ishte të përçoja idenë e futbollit që kemi ne që mund të përforcojë të gjithë këta lojtarë. Pastaj të shkojmë në fushë mirë. Kjo është ajo që duam. Është një ndeshje e fortë, por jemi në gjendje ta përballojmë. Gjëja më e bukur që kam mësuar në karrierë janë 90 minutat, aty luhet”.

Duke folur për kundërshtarin e parë në këto Eliminatore, Poloninë, 48-vjeçari ka kërkuar përqendrim nga skuadra përgjatë 90 minutave.

 “E rëndësishme është të hyjmë mirë në fushë, me idenë e grintën e duhur. Pastaj të rëndësishme janë të gjithë minutat, nga fillimi në fund, kjo do të thotë një nivel përqendrimi të rëndësishëm. Ia kam kërkuar lojtarëve. Unë i kam parë të gjitha, gola në fillim apo në fund, por futbolli është kështu. Duhet një nivel i lartë përqendrimi e duhet ta kuptojmë që nuk janë vetëm 20 minutat e parë. Unë nuk arrij në konkluzione me 90 minuta, Polonia është e fortë, e mësuar të shkojë në Evropianë, me lojtarë të mëdhenj e trajner shumë të mirë. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, nuk e mendoj se nuk janë të fortë. Ne do të shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pastaj ta shohim. Futbolli është futboll, ne do të provojmë të luajmë. Zgjat 90 minuta, të shohim çfarë ndodh, por ne jemi përgatitur që të luajmë e luftojmë”.

Përveç Polonisë, në Grupin E të këtyre Eliminatoreve, Shqipëria përballet edhe me Republikën Çeke, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.