RTSH Sport Live

Prezantohet program i ri për sportin në shkolla

  • 11/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Prezantohet program i ri për sportin në shkolla
Kryeministri Edi Rama kërkon angazhim të të gjithëve për më shumë masivitet

Programi i ri për sportin në shkolla dhe universitete ka mbledhur në një takim me kryeministrin Edi Rama të gjithë drejtoritë arsimore dhe Kryetarët e Bashkive. Jo vetëm kaq, në një angazhim të tillë, përveç Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është i përfshirë dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Organizmi më i lartë i olimpzit në vend do të jetë koordinatori kryesor i këtij programi, që për kryeministrin Rama është vazhdimësi e saj që ka nisur me shtimin e orëve të mësimit të edukimit fizik

“Është një boshllëk shumë i madh, sidomos në periferi, sidomos në Bashkitë e vogla ku për fëmijët dhe të rinjtë nuk ka puthuajse fare aktivitet të organizuar në vijmësi që t’u japë mundësinë që në këtë boshllëk të kenë një hapësirë edukimi, një hapësirë që ndihmon për mirë zhvillimin e tyre”

Madje i pari i Qeverisë ka kërkuar angazhim të të gjithëve për një kthim të sportit jo vetëm në Bashkitë e mëdha, por dhe në ato më të vogla për të mos qenë më sport informal

“Programi i sportit, sigurisht që do na ndihmojë për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivitetit nga pjesa e atij që sot zhvillohet në qytete të ndryshme dhe është komplet informale, me klube sportive, me rrethe sportive fëmijësh që janë në informalitet të plotë. Rrethe dhe klube për të cilat prindërit shpenzojnë jashtëzakonisht shumë para. Në një hapësirë të organizuar, të formalizuar, e cila prodhon edhe aktivitet social”.

E kryeministri i vendit i ka tërhequr vërejtje Bashkive, të cilat nuk kanë kthyer përgjigje ndaj kërkesave të Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për një informacion mbi terrenet sportive.

“Inventarin e palestrave të shkollave ne nuk e kemi të vështirë ta shqyrtojmë, sepse është inventari i drejtorive dhe zyrave arsmimore, por ne flasim këtu për terrenet sportive në dispozicion, jo vetëm për palestrat. Për terrenet sportive të hapura dhe për terrenet potencialisht të transformueshme”.

Programi i ri i sportit në shkolla pas së cilës do të ketë më shumë masivitet dhe cilësi ka bërë të kënaqur presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, që ka specifikuar dhe disiplinat e para nga ku do të nisë ky program.

“Misioni i këtij projekti është që të arrijë të risjellë kulturën sportive, që promovon një jetë aktive të shëndetshme, me parimet olimpike  si pjesë e jetës së përditshme. Objekti i përgjithshëm është kthimi i një program kombëtar për sportin, që kryesisht në këtë vitin e parë do të jetë në dy sporte, kaq ishte buxheti. Duke qënë se është një megaprojekt për sportin, ne do të kemi basketboll dhe volejboll”.

E programi i ri për sportin nuk kishte se si të mos vlerësohej nga ministret Evis Kushi, Bora Muzhaqi dhe Ogerta Manastirliu.

Evis Kushi: “Për herë të parë qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5 milionë eurosh për masivizimin e sportit në shkolla e universitete, për krijimin e ekipeve sportive, për organizimin e kampionateve në nivel shkolle, në nivel universiteti, bashkie, qarku dhe në nivel kombëtar”.

Bora Muzhaqi: “Nga konsultimet e shumta që kam bërë me të gjithë të rinjtë, diçka që vazhdon të ndjehet po njësoj është kërkesa e tyre për më shumë aktivizim sportive si dhe për më shumë ambjente sportive”.

Ogerta Manastirliu: “Unë do e konsideroja një superinvestim, një program nga më specialët që është ndërtuar ndonjëherë që është ndërtuar për fëmijët dhe të rinjtë. Ky është një program që i dedikohet sportit, masivizimit të tij, i cili synon të injektojë edukim përmes tij”.

Tanimë mbetet që ky program i ri për sportin të vihet në zbatim e që shumë shpejt të shohim më shumë fëmijë e të rinj që merren me sport si një mundësi që nesër të jenë profesionistë