RTSH Sport Live

Projekti i ri: Veliaj lajmëron ndërtimin e një piste për sportet e Motocross-it në Tiranë

  • 21/04/2024
  • |
  • Evente Sportive
Projekti i ri: Veliaj lajmëron ndërtimin e një piste për sportet e Motocross-it në Tiranë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Presidentin Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit, Michal Sikora, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alessandro Sambuco. Në bisedën me ta, Veliaj tha se ka ardhur koha që edhe Tirana të ketë një pistë për sportet e Motocross-it, si një alternativë më shumë për vizitorët, që adhurojnë turizmin e aventurës.

“Ne duam të futemi në Europë edhe për sporte të tjera. Ndoshta ka ardhur koha të kemi një pistë për motoçiklizmin dhe ato që quhen sportet e Motocross-it. Në periferi të Tiranës do të ishte një arsye më shumë, për të shtuar një stacion turistësh në stacionet e shumta që ka Tirana”, tha Veliaj.

Veliaj u dhuroi përfaqësuesve të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Motocciklizmit “Kullën e Sahatit” simbol I kryeqytetit shqiptar.

“Jam shumë i surprizuar me bukurinë dhe kulturën e këtij qyteti, edhe me atë që gjeta këtu në vizitën time të parë. Unë mendoj se do të rikthehemi këtu, shpresoj së pari për aktivitetet turistike, por gjithashtu shpresoj edhe për disa aktivitete sportive, ndoshta aktivitete Motocross-i”, tha Sikora.

Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm I Federatës Alessandro Sambuco vlerësoi punën e përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Motoçiklizmit.