RTSH Sport Live

Rrethi i 78-të çiklistik i Shqipërisë, gjithçka gati

  • 19/05/2021
  • |
  • Të tjera
Rrethi i 78-të çiklistik i Shqipërisë, gjithçka gati
Gara e 3-të më e vjetër në kontinent rikthehet, për të 4-tin vit, në kalendarin ndërkombëtar

Veprimtaria më madhore në vend dhe gara e 3-të më e vjetër e këtij sporti në Evropë, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, organizon këtë vit edicionin e saj të 78-të, që mbart një vlerë simbolike. Ky edicion shënon rikthimin në nivel ndërkombëtar të kësaj gare, e cila, vitin e shkuar, u zhvillua vetëm me pjesëmarrjen e ekipeve vendase për shkak të kufizimeve si rrjedhojë e epidemisë së “Covid-19”.

Që nga edicioni i 74-t, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është përfshirë në kalendarin e Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI) dhe, duke lënë mënjanë edicionin e vitit të shkuar, atë të 77-të, këtë vit bëhen 4 edicione që gara do të jetë e nivelit ndërkombëtar. Sipas informacionit që ka përcjellë Federata Shqiptare e Çiklizmit (FSHÇ), janë 13 skuadra që do të marrin pjesë, nga të cilat 10 janë ndërkombëtare, e më konkretisht një nga Greqia, një nga Bullgaria, një nga Mali i Zi, një nga Belgjika, dy nga Serbia dhe 3 nga Maqedonia e Veriut.

 Po kështu do të marrë pjesë edhe ekipi përfaqësues i Kosovës, por edhe 3 ekipe të Shqipërisë, e më konkretisht ai i Apolonisë, ai i Vllaznisë dhe skuadra e përbashkët e Studentit dhe Tiranës. Sa u përket etapave, ato janë 5, duke nisur nga etapa e parë, Tiranë-Korçë, 161 km e gjatë, e cila pritet të zgjatë rreth 4 orë, e duke vijuar më tej me etapën e dytë, me itinerarit Korçë-Qafë e Qarrit-Elbasan, 159.3 km e gjatë, që gjithashtu pritet të zgjatë afro 4 orë.

Etapa e 3-të do t’i marrë çiklistët nëpër itinerarin prej 148.7 km, Elbasan-Belsh-Kozharë-Vlorë, që pritet të zgjatë rreth 3 orë e 45 minuta, ndërsa e 4-ta do t’i çojë ata nga Vlora drejt Përmetit, një etapë kjo prej 142 km, që pritet të përshkohen në 3 orë e 30 minuta, dhe që është një risi për këtë edicion. Etapa e 5-të dhe e fundit do të jetë ajo nga Përmeti në Fier, me një gjatë 125 km, që pritet të përshkohen në rreth 3 orë.