RTSH Sport Live

Sevilla, në gjurmët e Kumbullës

  • 03/11/2021
  • |
  • Kombëtarja
Sevilla, në gjurmët e Kumbullës
Klubi andaluzian synon transferimin e shqiptarit në La Liga

Marash Kumbulla mund të transferohet në Spanjë. Mbrojtësi shqiptar i blerë nga Roma një vit më parë por tashmë tërësisht jashtë projektit të Jose Mourinhos, ka përfunduar në rrezen e interesimit të klubit andaluzian ku ish drejtori sportiv i Romës, Monchi po e ndjek me kujdes shtatlartin me origjinë nga Shkodra. Kumbulla që pas transfertës ndaj Bodoe Glimt u kritikua ashpër nga Mourinho, përfundoi në tribunë ndeshjen pasardhëse dhe e ardhmja e tij duket larg skuadrës verdhekuqe edhe pse Roma pagoi plot 30 milionë Euro për ta blerë nga Verona.

 Zhvendosja e tij në pankinë e ka ulur ndjeshëm vlerën e kertonit të 20-vjeçarit dhe Sevilla fërkon duart në këtë situatë. Kumbulla konsiderohet pasardhësi ideal i Jules Koundé dhe sipas gazetës EstadioDeportivo, Monchi do të tentojë një sulm për shqiptarin që në muajin Janar por Sevilla e ka bërë të qartë se nuk do të shkojë më shumë se 15 milionë Euro.

Lajmi gjen pasqyrim në disa media lokale të Andaluzisë, ndërsa prestigjozja “fichajes.net”, thekson se Julen Lopetegui ka ndezur dritën jeshile për këtë operacion pasi në fund të sezonit, sipas të gjitha gjasave do të humbasë pjesë të rëndësishme nga mbrojtja e skuadrës së tij. Kjo faqe shton gjithashtu se shtatlarti shqiptar ka marzhe të mëdha përmirësimi dhe do të ishte një nga lëvizjet më të zgjuara të merkatos për Sevillan.