RTSH Sport Live

Sherr adoleshentësh në “Asllan Rusi”

  • 09/12/2024
  • |
  • Të tjera
Sherr adoleshentësh në “Asllan Rusi”
Një 13-vjeçar përfundon në spital, Federata e Basketbollit dënon dhunën

Një ndeshje basketbolli moshash, e zhvilluar të hënën në mesditë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ka përfunduar në një konflikt mes adoleshentëcve. Sipas komunikatës së policisë, 5 të mitur janë rrahur me njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta pas debateve që kanë patur për motive të dobëta. Si pasojë e konfliktit fizik një 13-vjeçar ka mbetur i lënduar dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.

4 të miturit e tjerë janë shoqëruar të polici, ku janë marrë në pyetje në prani të familjarëve dhe psikologut, ndërsa ndërhyrja e forcave të rendit ka bërë që ngjarja të mos rëndohet më shumë. Për shkak të këtij incidenti, Federata Shqiptare e Basketbollit ka dalë me një qëndrim, atje ku ka dënuar ngjarjen e dhunshme të ndodhur në mjediset e pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me vlerat themelore që sporti përfaqëson: respekt, bashkëpunim dhe paqe. Pallatet e sportit duhet të jenë hapësira të sigurta ku të rinjtë mësojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre, jo vende ku ndodhin akte të dhunës”, thuhet në komunikatën e institucionit më të lartë të koshit shqiptar, që u ka bërë thirrje shoqatave sportive, trajnerëve, prindërve dhe të gjithë atyre që punojnë për edukimin e të rinjve që të rrisin ndërgjegjësimin dhe të forcojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës, veçanërisht në mjediset sportive.

“Federata mbetet e angazhuar për të promovuar këto vlera dhe për të siguruar që sporti në Shqipëri të jetë gjithmonë një burim frymëzimi dhe zhvillimi pozitiv për të gjithë”, ka përfunduar komunikata e koshit shqiptar, ndërsa veprimet e dhunshme janë shtuar kohët e fundit.