RTSH Sport Live

Shkëmbi në provën e parë evropiane

  • 10/07/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëmbi në provën e parë evropiane
Trajneri i Tiranës ka folur në prag të takimit kundër Torpedo Kutaisit

Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi foli në prag të takimit kundër Torpedo Kutaisit, përballje e vlefshme për turin e parë eleminator të Conference League. Tekniku i klubit bardheblu e di forcën e kundërshtarit, por sipas tij skuadra do të bëjë gjithçka për të marrë maksimumin.

“E kemi studiuar kundërshtarin, ashtu siç mund të ketë bërë edhe kundërshtari me ne. Është një skuadër e mirë, që ka bërë dhe afrime cilësore. Edhe ne kemi ndryshuar shumë lojtarë, por jemi me besimin se kemi bërë diçka të mirë. Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por në futboll gjithmonë ka shpresë dhe ne do të bëjmë maksimumin. Duhet të luftojmë në çdo top, në çdo duel”.

Bledi Shkëmbi foli edhe për incidentin që ndodhi me Qëndrim Ismajlin. Dokumentacioni i siguruar nga Tirana nuk ishte i mjaftueshëm për kosovarin pasi shteti gjeorgjian nuk njeh Kosovën dhe për rrjedhojë as pasaportat e vendit fqinj, dhe për Shkëmbin do të jetë një mungesë e madhe.

“Më vjen keq për Ismajlin për atë që ndodhi. Përveç pjesës sportive, është diçka e rëndë që një futbollistë të vuajë pjesën politike. Është e rëndë që një futbollist të kthehet në shtëpi, të mos lejohet, duke marrë në konsideratë faktin që i gjithë dokumentacioni ishte në rregull. Shpresoj të mos ketë qënë diçka e qëllimshme. Përsa i përket futbollit, mund të them se është diçka që na ka prishur punë. Ismajli është afruar vonë në skuadër, por ka bërë mirë, do të ishte një lojtar plus”.

Ndeshja mes Torpedo Kutaisit dhe Tiranës do të luhet në orën 19:00 dhe do të transmetohet për të gjithë teleshikuesit në RTSH Sport.