RTSH Sport Live

Shpikësi i “Syrit të Fajkoit”: VAR risia për të cilën jam më pak krenar!

  • 05/04/2024
  • |
  • Të tjera
Shpikësi i “Syrit të Fajkoit”: VAR risia për të cilën jam më pak krenar!

Njëri prej eksponentëve, të cilët ndihmuan në projektimin e sistemit VAR (Video Assistant Referee) ka thënë në një intervistë për “The times” se kjo është shpikja për të cilën mburret më pak.

Duke parë se ç’do fundjavë “VAR”-i përfundon në faqet e para të gazetave dhe titujt kryesorë të lajmeve në platforma të ndryshme atëherë Pol Houkins ka treguar edhe disa mënyra për të “shëruar” këtë shpikje, e cila duhet të ndihmonte arbitrat.

“VAR-i është kontributi im në sport për të cilin jam më pak krenar. Unë mendoj se teknologjia duhet të jetë vetëm për arbitrat dhe jo për publikun e gjerë. Çasti më i bukur ka qenë në finalen e ‘Wimbledon’ të vitit 2008 kur Nadal dhe Federer i dhanë jetë një dueli fantastik. Po të mos ishte teknologjia Nadal do ta kishte fituar atë ndeshje që në setin e tretë. Pika decizive e këtij seti iu dha spanjollit, por Federer nuk ishte dakord dhe u kërkoi zyrtarëve të garës që të vlerësonin edhe një herë momentin kur topi kishte prekur barin. Zyrtarët pranuan apelin e bërë nga tenisti nga Zvicra dhe i hoqën pikën Nadalit”, tha Pol Houkins.  

Mes të tjerash shpikësi i “Syrit të Fajkoit” jep edhe tre alternativat, të cilat mund të “shërojnë” shpikjen e tij. “Unë them se ç’do ekip duhet që të ketë mundësi që të paktën një herë në ndeshje të kundërshtojë vendimin e marrë nga arbitrat dhe gjithçka të rishikohet më mirë në VAR. Në të tilla raste mendoj se duhet të përjashtojmë vendimet, të cilat kanë lidhje me pozicionin jashtë loje. Pra duhet të jenë ndërhyrje vetëm në situata shumë të ndërlikuara. Mendoj se të tilla ndërhyrje nga secila skuadër të bëhet dy herë nëse luhet finale e Ligës së Kampioneve apo finale e Kupës së Botës”, arsyeton Pol Houkins.

Sugjerimi i dytë për të përmirësuar VAR-in sipas Houkins do të ishte nëse marrja e vendimeve të bëhet vetëm nga arbitrat të cilët nuk janë në fushë. “Nuk mendoj se është e drejtë që të ftohen përpara një ekrani arbitrat dhe të rishqyrojnë vendim e marrë nga po vetë ata”, shpjegon Haukins.

Ndërhyrja e tretë dhe më e forta sipas tij do të ishte nëse “bashkëbisedimi mes arbitrave në dhomën e VAR si dhe pamjet, të cilat po vlerësojnë, të transmetohen për publikin direkt në stadium”.