RTSH Sport Live

Shqipëria, e artë në turneun “Muhamet Malo”

  • 14/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Shqipëria, e artë në turneun “Muhamet Malo”
Kuqezinjtë zënë vendin e parë në stilin e lirë si ekip, Abakarov sportisti më i mirë

Shqipëria është e artë në stilin e lirë në turneun ndërkombëtar “Muhamet Malo”, që të shtunën pasdite ka përfunduar në sallën olimpike “Feti Borova”. Janë plot pesë medalje të arta të cilat kanë ardhur nga Zelimkan Abakarov në peshën 65 kilogram, Islam Dudaev në peshën 70 kilogram, Elmaz Kryeziu në peshën 79 kilogram, Osman Hajdari në peshën 86 kilogram dhe Emiljano Onuzi në peshën 92 kilogram. Jo vetëm kaq, por është dhe një medalje e argjendtë me Isa Merkjan në peshën 61 kilogram, si dhe tre medalje të bronzta përkatësisht nga Endrio Avdyli po në peshën 61 kilogram, Eriglend Prizreni në peshën 74 kilogram dhe Paris Karepi në peshën 125 kilogram. Onuzi si medalisti i parë i artë i Shqipërisë në turneun ndërkombëtar “Muhamet Malo” ka treguar dhe emocionet e tij për RTSH Sport.

“Kjo medalje për mua do të thotë shumë sepse ishte një kampionat shumë i fortë. Merrnin pjesë rreth tetë shtete dhe për mua ishte një eksperiencë e veçantë. Një medalje që më jep shtysë për më tej”.

Por a i priste të gjitha këto medalje të arta pikërisht në stilin e lirë presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, në kushtet kur ishin të sigurta vetëm ato të Abakarov dhe Dudaev?

“Prisja Isa Merkjan që ishte në peshën 61 kg, mendoj që duhet të fitonte, por ka patur surpriza me djemë të tjerë, me Osmanin apo Elmazin që ka garuar një peshë më sipër se pasha e tij për shkak të përplasjes që kemi patur te pesha 74 kg. Kështu që ka patur surpriza dhe ato kanë qënë të këndshme”.

Jo vetëm sepse është nderuar Muhamet Malo, por dhe se kjo pjesëmarrje e gjerë të huajsh është një garanci për mundjen shqiptar, Klajdi Malo ndihet i kënaqur dhe premton që ky turne do të vazhdojë më tej.

“Ndihem shumë i lumtur që pas shumë vitesh që ne kemi aplikuar te Federata Botërore e Mundjes për këtë event, këtë vit u miratua falë  Federatës Shqiptare të Mundjes që ka aplikuar gjatë gjithë kësaj kohe. Kemi bërë të mundur që të jetë një turne i përvitshëm, i njohur nga Federata Botërore e Mundjes, turne ndërkombëtar në Shqipëri në emër të Muhamet Malos. Shpresojmë që ta zhvillojmë çdo vit, sepse është një eveniment që mbledh gjithë shtetet e Europës”.

Shqipëria ishte fituese në mundjen e lirë me 175 pikë. Pas saj u renditen Italia me 127 pikë, kurse në vendin e tretë Britania e Madhe me 70 pikë. E Zelimkan Abakarov ishte sportisti më i mirë i aktivitetit.