RTSH Sport Live

Shqipëria e koshit, një tjetër humbje e rëndë

  • 14/11/2021
  • |
  • Basketboll
Shqipëria e koshit, një tjetër humbje e rëndë
Tjetër humbje në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, Sllovenia na mund me 99 pikë diferencë

Shqipëria në basketboll për femra vijon të jetë në krizë. Humbja katastrofike e tre ditëve më parë në Poloni, kjo me 116 pikë diferencë, është pasuar nga një tjetër disfatë e rëndë. Pikërisht në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Sllovenia ka fituar me 99 pikë diferencë, 28-127. Nëse në periodën e parë vajzat tona kanë shënuar 14 pikë kundrejt 30 të slloveneve, e dyta ka qenë një tragjedi më vete.

Si asnjëherë tjetër, ndërsa duhet kërkuar nëpër analet e historisë së basketbollit shqiptar, një kombëtare e koshit kuqezi nuk arrin të shënojë asnjë pikë. 0-32 perioda e dyta dhe në pushim Sllovenia ka kryesuar 14-62. Japim shenja që jemi në fushë edhe me ndonjë tolerim të mikeshave, të cilat kanë aktivizuar të gjitha basketbollistet që kanë patur në dispozicion. 11-36 perioda e tretë dhe në total 25-98. E fundit vulos gjendjen e vështirë ku ndodhet basketbollit jonë. 3-29 perioda e katërt dhe në përfundim 28-127 për Slloveninë, e cila kështu gjen fitoren e parë në këto kualifikuese.

Ndërkohë në grupin D, Turqia ka marrë fitoren e dytë, ndërsa ka mundur Poloninë, 52-41. Kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 në basketboll për femra rikthehen në nëntor 2022. Më 24 nëntor vajzat kuqezi do të jenë në transfertën turke dhe më 27 nëntor do të presin Poloninë për t’i mbyllur këto kualifikuese në shkurt 2023, atje ku më 9 shkurt do të udhëtojnë drejt Sllovenisë dhe më 12 shkurt do ta mbyllin me Turqinë. E deri atëherë shpresohet që paraqitja e vajzave kuqezi të mos jetë në këto nivele të turpshme...