RTSH Sport Live

Shqipëria e rrjetës, sonte përballë Zvicrës

  • 10/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Shqipëria e rrjetës, sonte përballë Zvicrës
Kuqezinjtë e trajnerit Melka luajnë takimin e 4- të Grupit G të Eliminatoreve

Kombëtarja kuqezi e volejbollit për meshkuj ka udhëtuar të martën drejt Zvicrës, atje ku do të luajë të mërkurën ndeshjen e radhës në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian. Shqipëria ndodhet në grupin G të këtyre Eliminatoreve, së bashku me Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Zvicrën. Deri më tani, kombëtarja kuqezi ka luajtur 3 ndeshje, duke pësuar dy humbje dhe duke marrë një fitore.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Jani Melka janë mundur në 3 sete javën e shkuar në Rumani përballë përfaqësueses vendëse, ndërsa më pas kanë ardhur dy sfidat e njëpasnjëshme përballë Bosnjë-Hercegovinës. Madje me kërkesë të kësaj të fundit, të dyja sfidat janë luajtur në kryeqytetin shqiptar, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës. Boshnjakët kanë qenë skuadra pritëse në takimin e luajtur të shtunën, ku Shqipëria përmbysi humbjen e dy seteve të para dhe fitoi 3-2, ndërsa në takimin e së dielës, ku kuqezinjtë ishin pritës, janë miqtë që kanë fituar në 4 sete, 3-1. Kjo nënkupton se në prag të përballjes së sotme me Zvicrën, që mban kreun e renditjes me 5 pikë të grumbulluara në dy ndeshje, Shqipëria, e cila ka luajtur 3 ndeshje, mban vendin e fundit, me dy pikë, dy më pak sesa Rumania dhe Bosnjë-Hercegovina, që ndajnë vendin e dytë dhe të 3-të.

Takimi i sotëm Zvicër-Shqipëri luhet duke nisur nga ora 19:30, ndërsa pas 3 ditësh luhet ai i kthimit në Tirana dhe kuqezinjtë e mbyllin pjesëmarrjen në këtë grup eliminator me sfidën e 20 gushtit në kryeqytetin shqiptar përballë Rumanisë.