RTSH Sport Live

Shqipëria, gati për Armeninë

  • 20/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, gati për Armeninë
Esmeralda Franja dhe Luçie Gjini ndezin atmosferën në prag të ndeshjes të së enjtes

Shqipëria në futboll për femra, që drejtohet nga Armir Grima, tanimë është gati për ndeshjet e tretë kualifikuese të Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Armeninë, që do të zhvillohet të enjten në ora 17:00 në Arenën Kombëtare dhe që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Esmeralda Franja ka konfirmua jo vetëm gjendjen e mirë të grupit, por dhe objektivin për të arritur fitoren me Armeninë.

“Është gjithmonë kënaqësi e madhe të vish në grumbullim me Kombëtaren. Është një privilegj I madh që të grumbullohesh me Kombëtaren e vendit tënd. Gjendja e ekipit mendoj se është shumë e mirë, pasi vijmë nga fillimi i kampionatit shqiptar, mendoj se të gjitha vajzat janë me stërvitje dhe do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Ndeshjen e parë e kemi ndaj Armenisë. Natyrisht që synimi ynë për këtë ndeshje është fitorja, pastaj me Poloninë, do të shohim. Është një ekip shumë i fortë, por natyrisht do të japim maksimumin për të marrë edhe aty fitoren. Objektivi është që të ngjitemi sa më lart, sepse Federata ka bërë gjithmonë investime të mëdha në futbollin e femrave dhe ne duhet t’ua shpërblejmë, të jemi sa më lart. Besoj se ëndrra e të gjitha futbollisteve është që të kualifikohen në kompeticionet e mëdha si Europian dhe Botëror. Kjo është ëndrra ime më e madhe me Kombëtaren. Shpresoj një ditë t’ia dalim!”, -shprehet Franja.

Dhe tendenca për të marrë fitoren ndaj Armenisë, ndërsa në dy ndeshje Shqipëria ka vetëm një pikë, duket dhe në fjalët e Luçie Gjinit.

“Ne ndihemi shumë mirë. Kemi disa ditë që jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen e radhës, që kemi kundër Armenisë. Gjendja e grupit duket e mirë, ka entuziazëm në ekip dhe besoj do e marrim këtë ndeshje me pozitivitet, edhe për ta fituar. Është ndeshja e parë kundër Armenisë, na duhet patjetër fitorja ndaj këtij ekipi, për të pasur dhe më shumë vetëbesim për ndeshjen tjetër ndaj Polonisë. Duke marrë parasysh ndeshjet, ekipet që kemi në grup, siç dihet ka ekipe shumë të forta, ka ekipe elite, besoj se duhet të japim maksimumin tonë, të paraqitemi sa më mirë dhe të ngjitemi ndoshta dhe një pozicion më lart nga aty ku jemi. Në planin personal dua të paraqitem sa më mirë, të jap maksimumin tim dhe të bëj gjithçka që kam mundësi për të fituar ndeshjen, për të ndihmuar ekipin”, – u shpreh Gjini.

E ndërkohë ndeshja Shqipëri – Armeni do të gjykohet nga një katërshe italiane me kryesore Maria Marota. Asistente të saj Françeska Di Monte dhe Tiziana Trashiati dhe gjyqtare e katërt Martina Molinaro. Gjithçka gati vetëm me qëllimin për fitoren e vajzave kuqezi ndaj Armenisë.