RTSH Sport Live

Shqipëria, përballë Sllovenisë e Turqisë

  • 08/02/2023
  • |
  • Basketboll
Shqipëria, përballë Sllovenisë e Turqisë
Luhen dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Europianin e femrave 2023

Shqipëria në basketboll për femra, që drejtohet nga Mirza Alibegaj, tanimë është gati për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2023. Këtë të enjte në ora 18:00, vajzat kuqezi do të jenë në transfertën e Sllovenisë, e cila do të zhvillohet në Lubjanë në Pallatin e Sportit “Kodeljevo”. Në ndeshjen e parë tek Pallati i Sportit “Dhimitraq Goga”, më 14 nëntor 2021, Sllovenia ka fituar 127-28. Me të tilla rezultate, Shqipëria e femrave ka humbur dhe ndeshjet e tjera ndërsa është mundur nga Polonia 125-19 dhe 136-50, si dhe nga Turqia 140-44. Kështu që për shkak të diferencave të mëdha mes të dy ekipeve nuk mund të mendohet një paraqitje më e mirë se çfarë ka ndodhur më parë.

Sakaq të dielën në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në ora 17:00, Shqipëria do të presë Turqinë, e cila të mërkurën do të jetë në transfertën polake. Pra, kjo dhe sipas burimeve zyrtare në Federatën Shqiptare të Basketbollit, ndeshja me Turqinë do të zhvillohet normalisht, pavarësisht gjëndjes katastrofike që ndodhet ai vend pas tërmetit të jashtëzakonshëm të së hënës. Kombëtarja e vajzave është grumbulluar të dielën dhe të mërkurën ka bërë dhe stërvitjen e fundit në Lubjanë duke shpresuar se do të jetë më dinjitoze në parket.