RTSH Sport Live

Shqipëria, turne miqësor në Maltë

  • 10/02/2024
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, turne miqësor në Maltë
Vajzat kuqezi do të jenë përballë Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe më 22 dhe 25 shkurt

Pas rreth dy muajsh, ndeshja e fundit më 5 dhjetor në Ligën e Kombeve ndaj Hungarisë, 0-6, Shqipëria e futbollit të femrave rikthehet në fushën e lojës. Pikërisht kjo kombëtare do të marrë pjesë në turneun “Visit Malta Trophy”, që zhvillohet në shtetin ishullor më 22-25 shkurt.

Në këtë turne, përveç Shqipërisë së vajzave, marrin pjesë edhe Bjellorusia dhe Ishujt Faroe. Më 22 shkurt në ora 14:00, Shqipëria do të ndeshet me Bjellorusinë, kurse më 25 shkurt, po në ora 14:00, do të jetë përballë Ishujve Faroe. Të dyja takimet do të zhvillohen në stadiumiin “Tonny Bezzina”. Kombëtarja e vajzave do të nisë grumbullimin më 19 shkurt në Tiranë, ndërsa më 21 shkurt do të udhëtojnë drejt Maltës.

Trajneri Grima do të bëjë publike listën me futbollistet e grumbulluara në ditët në vijim. Këto dy ndeshje janë një mundësi shumë e mirë për skuadrën, por edhe për stafin e ekipit për të vëzhguar e testuar vajzat kuqezi duke qenë se për momentin nuk janë të angazhuara në impenjime zyrtare me ndeshje të nivelit UEFA-s apo FIFA-s.

Me Bjellorusinë janë luajtur dy ndeshje, këto për kualifikueset e Botërorit 2019, ndërsa të dyja palët kanë fituar 1-0, kurse me Ishujt Faroe vajzat kuqezi nuk kanë patur asnjë ndeshje.