Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç në basketboll për djem është renditur në vendin e gjashtë në Kampionatin Europian, Divizioni C, që të enjten ka përfunduar në Prishtinë. Tre fitore dhe tre humbje në gjashtë ndeshje për kuqezinjtë, të cilët në ndeshjen e fundit kanë fituar me Maltën, 96-47.
Kuqezinjtë e trajnerit Vladimir Xheka e kanë dominuar ndeshjen, ndërsa kanë fituar periodën e parë 24-5. Më pas e dytë 20-8 dhe në pushim Shqipëria ka kryesuar 44-13. 31-12 e treat për kuqezinjtë, të cilët thellojnë në 75-25. Vetëm e fundit ishte për Maltën, 22-21, por që nuk e ndali vrullin e kuqezinjve për të qenë triumfator në shifrat 96-47.
Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Arlis Brika me 20 pikë të shënuara, 16 kapje topi në tabelë, 3 asiste, 2 rrëmbime të topit në aksion e sipër të kundërshtarit. Në garë tashmë kanë mbetur Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç për djem në Matosinhos, si dhe kombëtarja e femrave të së njëjtës moshë, që në 1-6 gusht në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” mirëpret Kampionatin Europian, Divizioni C.