RTSH Sport Live

Shqipëria U17, atmosferë pozitive para kualifikueseve

  • 20/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U17, atmosferë pozitive para kualifikueseve
Kurti, Ageja dhe Sulejmani besojnë në aftësitë dhe talentin e grupit të ndërtuar nga Bulku

Shqipëria e moshës deri në 17 vjeç, e cila drejtohet nga Ervin Bulku, tanimë ka hyrë në ditën e tretë të përgatitjeve për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022. 24 lojtarët e ftuar nga Bulku për këto kualifikuese janë duke u përgatitur rregullisht në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ndërsa gjithçka po ecën sipas planeve të stafit teknit. Edhe atmosfera brenda grupit duket pozitive, teksa një gjë të tillë e konfirmon dhe mbrojtësi Arlind Kurti.

“Në këto ditë të para të grumbullimit ndihem shumë mirë, gjendja e grupit është shumë e mirë. Kemi nisur grumbullimi për t’u përgatitur siç duhet dhe për të shkuar në Europian me synime të qarta për të marrë atë që pretendojmë. Synojmë të bëjmë sa më mirë në të treja ndeshjet dhe pse jo të mendojmë kualifikimin. Objektivi që mund të arrijë kjo skuadër mendoj se është vendi i dytë në grup. Në aspektin personal shpresoj shumë që në të ardhmen të bëhem një lojtar i Kombëtares A dhe të jem protagonist me fanellën kuqezi”, – u shpreh Arlind Kurti.

Për sulmuesi Orsi Ageja grupi i kuqezinjve ka shumë cilësi dhe elementë të talentuar të gatshëm për të dhënë më të mirën në këto kualifikuese.

“Edhe unë ndihem shumë mirë në këto të grumbullimit me Kombëtaren U-17, edhe grupin e shoh në gjendje dhe jam i lumtur që përgatitjet po shkojnë sipas planeve. Objektivi është në radhë të parë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, të zbatojmë sa më shumë detyrat e trajnerit dhe të japim maksimumin në fushën e lojës. Kjo skuadër mund të arrijë shumë, sepse ka cilësi të mëdha në vetvete. Synimi është të shohim sa më lart për të arritur në vendet e para të renditjes së grupit. Në planin personal duhet të punoj sa më shumë për t’i ngjitur shkallët një nga një dhe të kem arritje të mëdha në karrierë”, – tha Orsi Ageja.

Por një tjetër sulmues, i cili luan në Itali me Peruxhian, është dhe Flavio Sulejmani, i cili nuk e fsheh dëshirën e tij për të qenë pjesë e kombëtares së madhe dhe për t’u bërë protagonist në arenën ndërkombëtare.

“Sigurisht ndihem i lumtur që jam këtu dhe me shokët e skuadrës shkojmë shumë mirë. Jam i emocionuar, por jam i bindur që do të bëjmë paraqitje të mira në Europian dhe të marrim po ashtu rezultate të mira. Skuadrën e shoh në formë, objektivi ynë është ta nisim me fitore dhe të kemi sa më shumë gjëra të bukura në këtë Europian. Dëshiroj shumë që një ditë të luaj me Kombëtaren A dhe të bëhem një nga futbollistët më të rëndësishëm të Shqipërisë”, – deklaroi Sulejmani.

Kombëtarja U-17 do të udhëtojë të dielën drejt Belfastit, ndërsa më 27 tetor do të ndeshet me Italinë. Sipas kalendari më 30 tetor do të përballet me Skocinë për ta mbyllur këtë fushatë më 2 nëntor ndaj Irlandës së Veriut.