RTSH Sport Live

Shqipëria U19, paraqitje zhgënjyese

  • 16 orë para
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria U19, paraqitje zhgënjyese
Tre humbje në kualifikueset e Kampionatit Europian ndaj Izraelit, Danimarkës dhe Irlandës së Veriut

Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç i ka mbyllur me humbje ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian, që u zhvilluan në stadiumin “Elbasan Arena” dhe që erdhën drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. 0-6 me Izraelin, 0-1 me Danimarkën dhe 0-1 me Irlandën e Veriut. Në përgjithësi do të duhet të kishte qenë një tjetër nivel paraqitje.

Aq më tepër që është grupi i futbollistëve në shumicë, që dy vjet më parë, teksa ishin me 17-vjeçarët nën drejtimin e Ervin Bulkut, patën kaluar raundin e parë në kualifikuese. E më pas në Elite Raund në Tiranë, kjo në marsin 2023, nuk u paraqitën keq. Vinin nga dy fitore me Malin e Zi, në Podgoricë e në Shkodër, dhe do të duhet të kishin bërë mirë në këto kualifikuese.

Nëse i referohesh kohëve më parë, shenja luhatje kjo kombëtare pat dhënë që në qershor, ndërsa me Kosovën në dy ndeshje fitoi 2-0 dhe u mund 2-5. Fjala është për Taho, Përndreca, Kurti, Dama, Jaku, Vranici, Tosku, Hasalliu, Prendi, Marinaj dhe Arifi, apo dhe Flavio Sulejmani, që në veçanti në këto kualifikuese ishte larg pritshmërive të tij. Një kombëtare e thyeshme, që në fakt përballë kundërshtarësh të vështirë si Izraeli, Danimarka dhe Irlanda e Veriut do të duhet të kishte bërë më mirë.

Janë lojtarë që nesër do të jenë pjesë e Shqipërisë U-20 dhe U-21 e jo më kot edhe trajneri i Shpresave, Alban Bushi, për lojtarë të datëlindjes 2004 dhe 2005, apo dhe 2006 e 2007, nuk shprehej me nota optimiste. Në tërësi paraqitje zhgënjyese e me shumë pikëpyetje e kuqezinjve të rinj në këto kualifikuese.